Bankat, “OK” deeuroizimit – Shoqata: Masat, asnjë shqetësim në afatin e shkurtër
Shoqata Shqiptare e Bankave mbështet masat e Bankës së Shqipërisë për ulur euroizimin në nivele më të pranueshme. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, thotë se një ulje e shkallës së përdorimit të euros do të ulte rreziqet për ekonominë dhe sistemin financiar. Ai shtoi se masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë mund të shoqërohen edhe nga ndërhyrje të institucioneve të tjera, për të kufizuar përdorimin e pajustifikuar të euros në transaksionet e brendshme ekonomike.
“Përdorimi i monedhës kombëtare ka benefite sepse për të gjithë kredimarrësit që nuk kanë të ardhura në valutë por kanë të ardhura në lekë, eliminon riskun e këmbimit. Pra, kaq sa merr sot në nominale, ti e di që do t’i paguash ato sipas normës së interesit që merr. Nëse do ta kesh në valutë do të thotë që ti je i ekspozuar në vitet që vijnë dhe me zhvlerësim apo me vlerësim të njërës monedhë apo tjetrës, ti do ndodhesh gjithmonë i disbalancuar. Pra, mund të kesh raste kur ti mund të paguash këstin, që ti mund ta kesh 300 euro me 140, nuk është e njëjta sasi lekësh si të ishte me 133 lekë.”
Zoti Brumbulli tha se ndryshimet rregullative të miratuara nga Banka e Shqipërisë të mërkurën nuk do të sjellin probleme në afatin e shkurtër për sistemin bankar. Sipas tij, qëllimi i këtyre masave është reduktimi afatgjatë i peshës së euros në bilancet e bankave.
“Për fat të mirë jemi në një situatë që bankat janë shumë likuide, qoftë në euro, qoftë në lek sepse kërkesa për kredi nuk ka qenë e lartë dhe ën kushtet që jemi kjo nuk paraqet asnjë vështirësi. Nëse flasim për afatmesëm dhe afatgjatë, sigurisht që nëse do të ruhet raporti i tillë me depozitat dhe masa shtrënguese është që kredia të lidhet me monedhën, pra duhet të lidhet me lekun sigurisht që mund të përbëjë një vështirësi. Prandaj ka filluar procesi që tani, që nuk jemi në shtrëngesa që sa më shumë depozita të kemi të fillojnë edhe individët të mësohen që ti mbajnë në atë monedhë që do i bëjnë shpenzime.”
Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën të rrisë rezervën e detyrueshme për detyrimet në valutë, në 12.5%, nga 10% që është aktualisht. Paralelisht, për lekun shkalla e rezervës së detyrueshme do të ulet në 7.5%. Rezerva e detyrueshme është pjesa e detyrimeve në valutë që bankat janë të detyruara t’i mbajnë të papërdorura, në një llogari në Bankën e Shqipërisë.
Në thelb, kjo lëvizje synon t’i orientojë depozitat e publikut në banka drejt lekut. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë kërkesën për aktive likuide në valutë, në masën 20% të detyrimeve afatshkurtra, masë kjo që dekurajon kreditimin në monedhën europiane. Për momentin, sistemi bankar është mjaft likuid dhe nuk pritet që kjo të shkaktojë probleme, por qëllimi është që në afatin e gjatë politikat e thithjes së depozitave dhe dhënies së kredive të orientohen më shumë drejt lekut.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.