Bankat radhisin rreziqet kryesore – “Rrokadë” në krye, ekonomia i “rrëmben” vendin e parë politikës
Bankat që operojnë në vendin tonë kanë rritur në nivelin maksimal rrezikun që ata vlerësojne se vjen nga përkeqësimi i ekonomisë së brendshme dhe kanë ulur në minimum rrezikun që besojnë se vjen nga politika. Në raportin më të fundit të stabilitetit financiar për 6-mujorin e parë të vitit, periudha pas tërmetit si dhe ajo ku pandemia ka goditur më rëndë ekonominë, rezulton se bankat vlerësojnë në shumë të lartë rrezikun që vjen nga përkeqësimi i ekonomisë së brendshme.
Në fund të vitit të kaluar ky rrezik vlerësohej me 33 pikë, pra mesatar, nga 49 që është në 6 mujorin e parë. Rreziku që vjen nga politika ndërkohë vlerësohet në shumë i ulët, që është shkalla më e ulët, nga mesatar që ishte në fund të 2019-ës. Edhe rreziku i kredisë nga të gjitha subjektet si dhe ai i transferimit të goditjeve nga jashtë është rritur ndjeshëm nga 6-mujori i fundit i vitit të kaluar, në 6-mujorin e parë të këtij viti.
“Pavarësisht rritjes së perceptimit të bankave për rreziqet ekonomike dhe financiare me rëndësi sistemike, besimi i tyre tek qëndrueshmëria e sistemit financiar ka mbetur i qëndrueshem. Bankat e mbështesin këtë besim tek treguesit e mirë financiarë të veprimtarisë dhe tek masat që kanë marrë ato vetë dhe autoritetet publike, për të zbutur ndikimin e pandemisë”-thotë Banka e Shqipërisë. Së fundi, bankat evidentojnë edhe rritjen e rëndësisë së disa rreziqeve të reja të lidhura me periudhën e pandemisë, si; “rreziku operacional” dhe “rreziku kibernetik”, si rezultat i mbështetjes së rritur tek përdorimi i teknologjisë për përmbushjen e veprimtarisë së tyre.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.