“Bankat” rurale – Sektori i kursim-kreditit arrin përmasa rekord
Sektori i shoqërive të kursim–kreditit në vend ka arritur përmasat më të mëdha që nga krijimi i tij.
Në fund të vitit të kaluar, totali i aktiveve të shoqërive arriti në 9.6 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro. Në një vit, ky përmasat e tregut u rritën me rreth 14%. Në pjesën më të madhe, asetet e këtij sektori konsistojnë në hua të dhëna për anëtarët e shoqërive të kursim-kreditit. Edhe vitin e kaluar, rritja është mbështetur pikërisht nga zgjerimi i huadhënies, që në fund të dhjetorit arriti në 7.2 miliardë lekë.
Tashmë, huadhënia e këtyre institucioneve po mbështetet së shumti nga depozitat e anëtarëve, që arritën në 7 miliardë lekë, në rritje me 14% gjatë vitit të shkuar kalendarik. Rritja e depozitave dhe zgjerimi i aktivitetit të këtij sektori është nxitur ndjeshëm nga përfshirja e shoqërive në skemën e sigurimit të depozitave, që u bë efektive në vitin 2017.
Kjo i ka bërë SHKK-të janë më pak të varura nga linjat e jashtme të financimit për aktivitetin e tyre. Ndonëse për nga përmasat zënë një peshë modeste kundrejt totalit të tregut financiar në vend, shoqëritë e kursim-kreditit kanë rezultuar si formula më e suksesshme për të çuar shërbimet financiare në zonat rurale dhe periferike. SHKK-të janë veçanërisht të rëndësishme për sa i takon financimit të bujqësisë, por edhe nevojave të tjera të familjeve në fshat.
Vlerësohet se shoqëritë e kursim-kreditit kanë të paktën 40 mijë anëtarë në të gjithë vendin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.