Bankingu me pakicë – Sfidat e teknologjisë dhe konkurrencës në rritje
Bankat po përpiqen të ndjekin kursin global të dixhitalizimit të shërbimeve, si një element i rëndësishëm për të shërbyer klientët dhe për të fituar avantazhe konkurruese. Shoqata Shqiptare e Bankave zhvilloi të martën forumin e parë për shërbimet bankare me pakicë.
Zëvendëskryetari Bordit Drejtues të Shoqatës, Silvio Pedrazzi, tha se përmirësimi i shërbimit për klientët është një nga prioritetet kryesore të kësaj industrie, sidomos në funksion të ndryshimeve që ka sjellë revolucionit teknologjik.
Sistemi bankar për vitin 2016 investoi 15.4 milionë euro në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, ndërsa për këtë vit investimet e parashikuara arrijnë në 19.3 milionë euro.
“Shoqata Shqiptare e Bankave i kushton një vëmendje të veçantë edukimit financiar, por edhe, ballafaqimit të biznesit bankar me tendencat e reja të zhvillimit të teknologjisë. Nuk duhet harruar që sot një telefon smart nuk është vetëm një mjet komunikimi për konsumatorët, por, edhe një burim informacioni dhe një instrument për për të kryer transaksione. Nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë evolucion që po sjell teknologjia. Degët tradicionale bankare nuk do të zhduken, por ato do të transformohen për t’ju përgjigjur këtij ndryshimi. Pritshmëritë e konsumatorëve, zhvillimi teknologjik dhe kërkesat rregullatore do të diktojnë ndryshime rrënjësore. Bankingu me pakicë nesër do të jetë shumë i ndryshëm nga ai që është sot. Bankat duhet të vendosin prioritete dhe t’i shndërrojnë ato në veprime konkrete. Ndryshimet teknologjike kanë ndryshuar rrënjësisht sjelljen e klientëve tanë. Ne duhet të kuptojmë më mirë konsumatorin dhe t’ju përgjigjemi nevojave të tij. Një prioritete tjetër për bankat është gjithashtu përshtatja me ndryshimet në kuadrin rregullator. Nuk ka dyshime për faktin se duhet të ecim përpara dhe vullneti për këtë nuk na mungon. Por, kjo dikton edhe ndryshime në ligje e rregullore, që janë faktor i rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të shërbimeve dhe produkteve të reja. Ekzistenca dhe zhvillimi i kompanive të financës teknologjike nuk është një kërëcënim për industrinë bankare, por një mundësi për zhvillim dhe bashkëpunim. Konkurrenca do të jetë më e ashpër, ndaj, për të qenë të përgatitur dhe për t’u përshtatur me tendencat e reja do të nevojiten investime të mëdha. Vetëm gjatë vitit të kaluar, bankat investuan 15.4 milionë euro në teknologjinë e informacionit, ndërsa këtë vit kanë planifikuar të investojnë 19.3 milionë euro”.
Attila Kincses, ekspert i kompanisë së specializuar së konsulencës McKinsey, evidentoi sfidat me të cilat përballet sot biznesi bankar, të lidhura kryesisht me zhvillimet makroekonomike, ndryshimin e kuadrit rregullator dhe dixhitalizimit.
“Bankingu është sot industria më e madhe në nivel global, e udhëhequr sidomos nga tregjet në zhvillim. Për vitin 2015, të ardhurat botërore të industrisë bankare arritën në rreth 4.8 trilionë dollarë, me një rritje vjetore prej 6.7%. Kthimi nga kapitali i industrisë bankare paraqitet i qëndrueshëm, por, përfitueshmëria afatgjatë ngelet e rrezikuar, sidomos në disa prej tregjeve të zhvilluara. Ndërkohë, Europa juglindore në veçanti ka ende potenciale shumë të mëdha zhvillimi për sa i takon penetrimit të shërbimeve bankare në popullsi. Kjo përbën një bazë të natyrshme të rritjes për vitet në vazhdim dhe një oportunitet të madh zhvillimi për sektorin bankar. Pavarësisht se ky rajon po përballet me rreziqe në rritje dhe përfitueshmëri të luhatshme, ky ngelet një treg i leverdisshëm për transaksionet bankare.
Sot, ekzistojnë tre faktorë madhorë që ndikojnë në përfitueshmërinë e sektorit bankar. Së pari, janë faktorët makroekonomikë. Rritja ekonomike ngelet e dobët dhe ka shenja se do të ngelet e dobët edhe për vitet në vazhdim. Europa dhe Japonia po përballen me një stanjacion ekonomik, madje me rreziqe për një recesion të ri, ndërsa SHBA po tregojnë shenja të dobëta të rritjes. Në tregjet emergjente, rreziku më i madh ngelet cikli rënës i kreditimit. Brazili dhe Rusia po përballen me recesion dhe zhvlerësim të monedhës, ndërsa Kina dhe Azia në përgjithësi ka ritme të ulëta rritjeje.
Faktori i dytë madhor që do të ndikojë në përfitueshmërinë e bankave është kuadri rregullator, që po pëson ndryshime rrënjësore. Efektet e këtyre ndryshimeve po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u parashikuar.
Një faktor i tretë i rëndësishëm është dixhitalizimi. Tendenca drejt dixhitalizimi të mëtejshëm shkon përmes një konkurrence në rritje nga kompanitë e shërbimeve financiare elektronike. Interneti e ndryshuar rrënjësisht sjelljen konsumatore, duke e ndikuar edhe biznesin bankar. Kompanitë e teknologjisë financiare po sjellin një novacion të shpejtë dixhital. Këto kompani sjellin jo vetëm novacion në shërbime, por, edhe kosto konkurruese dhe përvojë më të mirë konsumatore për klientët e tyre.
Transformimi i bankave, për t’u përshtatur me këto sfida kërkon iniciativa për të fituar elasticitet në afatin e shkurtër dhe riorientim e rinovim në një afat më të gjatë. Në afatin e shkurtër, bankat duhet të përpiqen të mbrojnë përfitueshmërinë e biznesit. Disa nga lëvizjet në këtë drejtim janë ruajtja e bazës së të ardhurave, përmes rishikimit të çmimeve dhe rritjes së nivelit të ndërmjetësimit financiar, zvogëlimi dhe ulja e kostove, menaxhimi më efektiv i kapitalit dhe rreziqeve, si edhe ruajtja e kapitalit njerëzor të bankës.
Në kuadër të riorientimit, bankat duhet të mendojnë një model të ri biznesi. Riorientimi duhet të mbështetet te të kuptuarit më mirë përvojën konsumatore, te një model i ri operacional, te përshtatja me filozofinë e ndryshimeve në kuadrin rregullator dhe te gjetja e hapësirave të reja për t’u rritur. Rinovimi afatgjatë do të kërkojë ndërtimin e një kulture të re dhe motivuese të ndryshimit, ndërtimin e strukturave të reja organizative dhe zhvillimin e aftësive teknologjike që kërkohen nga koha për të qenë konkurrues”.
Albena Markova, eksperte e kompanisë së specializuar PriceWaterhouse Coopers, tha se bankat duhet të identifikojnë prioritete të qarta, për të zhvilluar një model të suksesshëm biznesi për të ardhmen. Ndër këto prioritete, më kryesorët do të jenë sigurimi i një informacioni sa më të plotë për klientët, krijimi i një modeli shërbimi që të ketë në qendër profilin dhe nevojat e konsumatorit, ngritja e një modeli më efecient të shpërndarjes së produkteve dhe shërbimeve, si edhe përfshirja sa më shumë në zhvillimin teknologjik.
“Sot, biznesi bankar po përballet me sfida të rëndësishme. Besimi është në nivelet më të ulët të të gjitha kohërave. Rritja ngelet e brishtë dhe kostot e veprimtarisë janë të vështira për t’u kontrolluar. Konsumatorët janë gjithnjë e më kërkues. Rregullimet e reja po ndikojnë në modelin e biznesin. Teknologjia po ecën me hapa shumë të shpejtë, ndërsa bankat po sfidohen gjithnjë e më shumë nga konkurrentë të rinj, jo tradicionalë. Cila mund të jetë strategjia e suksesshme në një një mjedis të tillë. Kompania PriceWaterhouse Coopers ka ndërmarrë projektin Blue, një studim i thelluar për të kuptuar ndikimin e tendencave makroekonomike në mjedisin financiar global. Ne mendojmë që çdo strategji e suksesshme për të ardhmen duhet të gjejë balancën e duhur mes gjashtë prioriteteve. Këto prioritete janë zhvillimi i një modeli biznesi që ka në qendër klientin, një optimizim i shpërndarjes, thjeshtimi i modelit të biznesit dhe operacioneve, përfitimi i avantazheve nga informacioni, përqafimi i novacionit dhe shanseve që sjell dhe një menaxhim proaktiv i rreziqeve dhe kërkesave rregullatorë.
Modeli i biznesin me në qendër klientin kërkon, në radhë të parë, një njohje të mirë të klientit. Për fat të keq, zakonisht bankat nuk e zotërojnë një njohje të tillë. Sot, bankat i ofrojnë klientit një shumëllojshmëri produktesh, me shpresën se atij ndonjë mund t’i nevojitet. Në të ardhmen do të jetë e nevojshme të kuptohet më mirë profili i klientit dhe çfarë i duhet atij, për të ofruar produktin e duhur. Nga studimet tona, klientët kërkojnë nga produkti leverdi, personalizim, akses dhe përdorim të thjeshtë dhe transparencë. Portofoli i produkteve duhet të thjeshtohet në mënyrë drastike, ndërsa cilësia e shërbimit për konsumatorët duhet të rritet. Një përvojë më e mirë nga konsumatori sjell përfitime për bankën, duke mundësuar ruajtjen e një marrëdhënieje afatgjatë me klientin.
Optimizimi i shpërndarjes do të ndryshojë rrënjësisht konceptin për rrjetin dhe praninë fizike të bankave. Tradicionalisht, bankat kanë synuar një rrjet të zgjeruar degësh, për të fituar më shumë prezencë dhe pjesë tregu. Rrjeti i degëve ka kosto të larta, me hapësira shumë të ngushta për shkurtim shpenzimesh. Në të ardhmen, rrjetet e bankave do të ndryshojnë ndjeshëm. Prania direkte fizike do të ulet dhe shumë nga degët që nuk janë eficiente do të mbyllen. Bankat do të tentojnë të arrijnë te klienti përmes partneritetit me subjekte të tjera, por, sidomos përmes kanaleve të shumëllojshme që mbështeten te teknologjia e informacionit dhe komunikimit.
Sigurimi i sa më shumë informacioni për klientët do të jetë një faktor përcaktues për konkurrencën mes bankave. Kjo do të kërkojë pasurimin e formave dhe kanaleve për mbledhjen e këtij informacioni, ashtu si edhe zhvillimin dhe sofistikimin e kapaciteteve analitike për përpunimin e këtij informacioni.
Zhvillimi i aftësive dhe vlerave të lidhura me teknologjinë do të kërkojë sa rekrutimin dhe motivimin e njerëzve të talentuar në këto fusha, ashtu edhe partneritetet strategjike, me subjekte që mund të sjellin ide apo përvoja të suksesshme novacioni”.
Biznesi bankar, në Shqipëri dhe jo vetëm, gjendet në një moment të rëndësishëm zhvillimi. Efektet e krizës ekonomike e kanë tkurrur ndjeshëm përfitueshmërinë e bankave, por, ndërkohë ato ndodhen përballë nevojës për të investuar në zhvillimin cilësor të shërbimeve për klientët. Adoptimi më i zgjeruar i teknologjisë është ndër çështjet më thelbësore, jo vetëm për t’ju përgjigjur nevojave të klientëve dhe sidomos të brezit të ri, por, edhe si një mjet për të ulur kostot e veprimtarisë. Megjithëse nuk hyn në shembujt më të mirë të zhvillimit në këtë drejtim, edhe sistemi bankar po bën hapa përpara. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar numri i llogarive bankare të lidhura me internetin ka arritur në 209 mijë, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2015. Në vitet e fundit, Shqipëria po ngushton prapambetjen për sa i takon përdorimit të internetit dhe teknologjive, çka ka shtruar terrenin edhe për shfrytëzimin e tyre në funksion të shërbimeve financiare. Shërbimet e bankingut përmes internetit ofrohen tashmë nga pjesa më e madhe e bankave dhe kostot e përdorimit janë minimale, çka duket se ka ndihmuar në rritjen e numrit të përdoruesve. Përllogaritet se afërsisht 6% e gjithë llogarive në sistemin bankar shqiptar mund të aksesohen përmes internetit, ndërsa një vit më parë ky raport ishte 4.6%. Përparimet e Shqipërisë ngelen të konsiderueshme, po të kemi parasysh edhe prapambetjen e trashëguar në përdorimin bazë të shërbimeve financiare. Afërsisht një dekadë më parë, vetëm një pakicë e shqiptarëve kishin një llogari bankare, ndërsa vitet e fundit rritja është e dukshme. Tashmë, numri i llogarive bankare ka arritur në 3.44 milionë, duke tejkaluar kështu numrin e popullsisë së vendit. Vetëm numri i llogarive të individëve rezidentë në Shqipëri është 3.2 milionë, ose mesatarisht 1.11 llogari bankare për banorë. Shqipëria po afrohet në nivelet rajonale të përdorimit të shërbimeve bankare. Për Rajonin tonë, mesatarja është 1.3 llogari për banorë, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Evropian kjo shifër arrin në 2.3.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.