Bankingu nga shtëpia – Numri i veprimeve rritet me 28%
Pagesat bankare në distancë po njohin një rritje të shpejtë vit pas viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2016 numri i transaksioneve bankare përmes internetit apo telefonit arriti në 1.8 milionë, në rritje me 28% krahasuar me vitin 2015.
Rritja kishte përmasa të konsiderueshme edhe në volume. Për vitin e kaluar vlera totale e pagesave në distancë arriti në afro 343 miliardë lekë, në rritje me 21% krahasuar me vitin 2015.
Shifrat tregojnë se modernizimi i shërbimeve bankare dhe përdorimi në rritje i teknologjive në shoqërinë shqiptare po ndihmon në përhapjen e shërbimeve të bankingut në distancë, që njohu një rritje të vrullshme gjatë vitit 2016.
Pjesën dërrmuese të veprimeve bankare në distancë e zënë transaksionet përmes internet banking, me rreth 65% të totalit. Ndërkohë, numri i llogarive bankare të lidhura me internet banking ka arritur 209 mijë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, përdorimi i internet banking gjatë vitit 2016 u rrit me 37%. Përdorimi i internet banking është rritur për të tetin vit radhazi, ndërsa rreth 88% e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve.
Mbështetur në numrin e llogarive të lidhura me internetin, vlerësohet se në Shqipëri shërbimet e pagesave në distancë i përdorin rreth 7% e popullsisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.