Bartja e numrit, AKEP: Bëhet brenda 24 orëve
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar rregulloren e re për bartjen e numrit. Sipas rregullores së ndryshuar, operatorët janë të detyruar ta kryejnë procesin e bartjes së numrit brenda 24 orëve nga aplikimi.
Kriteri i vetëm i refuzimit të kërkesës për portim për përdoruesit me parapagim do të jetë mospërputhja e numrit personal të identifikimit të dhënë në kërkesën për portim tek operatori marrës me numrin e Identifikimit në bazën e të dhënave e operatorit dhënës.
Mospërputhjet apo gabimet në të dhënat e tjera të pajtimtarit, që kanë qenë shkaku kryesor i refuzimit dhe zgjatjes së procesit të portimit për mijëra numra celularë, nuk do të jenë më kriter refuzimi të kërkesave.
AKEP ka raportuar një numër shumë të madh ankesash nga përdoruesit, që kanë denoncuar praktika abuzive në procesin e portimit të numrit nga operatorët celularë.
Nga verifikimet e kryera, AKEP konstaton se operatorët kanë keqpërdorur listën e arsyeve të parashikuara për refuzimin e kërkesës për bartje.
Kjo sjellje e operatorëve ka krijuar barriera artificiale për pajtimtarët, duke ndikuar drejtpërdrejt në demotivimin e tyre për këtë shërbim si dhe ka zbehur rolin e probabilitetit të numrit, si instrument për zhvillimin e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare.
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti. AKEP do të publikojë raporte periodike për portimet dhe perfomancën e secilit operator për portabilitetin, përfshirë afatet dhe numrin e refuzimeve.
Gjithashtu, rregullorja parashikon edhe aplikimin e sanksioneve kundrejt operatorëve, në rast të bllokimit të paarsyeshëm të shërbimit të portabilitetit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.