Basha lobon në Berlin – “Opozita mbështet anëtarësimin në BE”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar nga Berlini se i ka kërkuar mbështetje grupit të CDU-CSU, për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Basha theksoi se opozita mbështet ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësimin në BE dhe e sheh këtë hap si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret e pa plotësuara deri më tani.
“Sot kemi kërkuar mbështetjen e grupit CDU-CSU për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendim i cili do të merret pas rekomandimit të KE. Kemi kërkuar mbështetjen si një akt që do të ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët në një ëndërr që e ndajnë të gjithë, të anëtarësimit në BE, por edhe si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret e pa plotësuara në luftën kundër krimit, korrupsionit, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, respektimi i të drejtave të njeriut të nëpërkëmbura, siç ishte rasti i Kukësit. Të gjitha këto janë shqetësime të thella të partnerëve tanë, janë arsye të mëdha për të dyshuar.”
Kryedemokrati theksoi vendosmërinë e opozitës për vazhdimin e betejës për çmontimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkia.
“Në emër të PD i kemi garantuar që ta shohin këtë si një proces që mundëson vazhdimin e betejës për të çmontuar krimin e organizuar dhe kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për të çmontuar narkoshtetin, për të luftuar korrupsionin, për të vendosur të gjithë qytetarët të barabartë përpara ligjit, për të vendosur politikanët e korruptuar para drejtësisë. Për të çliruar ekonominë nga monopolet dhe oligarkia, për të rikthyer konkurrencën si parakusht për zhvillimin ekonomik. Përmes hapjes së negociatave kemi kërkuar që të fuqizojmë betejën tonë si opozitë për një Shqipëri të çliruar nga padrejtësia, të çliruar nga përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme dhe të çliruar nga krimi i organizuar dhe korrupsionit.”
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.