Basha reagon për raportin e “EuCham”. Shqipëria, e treta nga fundi për investime ndër 46 vende europiane
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot në Tëitter për raportin e Dhomës Europiane, që e rendit Shqipërinë ndër tre vendet e fundit në Europë për të bërë biznes, raport i cili u publikua të martën nga TV SCAN. Sipas Bashës, ky është tregues i qartë se qeveria ka dështuar. “Raporti i fundit i Dhomës Europiane, që e rendit Shqipërinë ndër tre vendet e fundit në Europë për të bërë biznes, konfirmon qartë se kjo qeveri ka dështuar: sot kriza është shtrirë në çdo hallkë të ekonomisë”, shkruan Basha.
Më tej kreu i opozitës shkruan se “me Ramën, Shqipëria u bë ndër vendet më të korruptuara, me taksat më të larta në rajon dhe më pak tërheqëse për investime”. Në mbyllje, Basha shprehet se, vendit sot i duhet një model i ri ekonomik, me taksa të ulëta, mbështetje për sipërmarrjen, stimulim për investimet dhe bizneset që hapin vende pune”. “Me planin tonë, ne do të kemi taksën e sheshtë 9%, do të luftojmë konkurrencën e pandershme dhe korrupsionin, do ti japim frymëmarrje ekonomisë për të sjellë investime, mundësi punësimi me të ardhura dinjitoze dhe jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët”, përfundon Basha.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.