Basha takim me bizneset: “Nevojitet një qeverisje normale. Heqim inspektorët nga terreni, taksë vjetore 0.5%”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po vazhdon turin e takimeve me bizneset në njësitë e kryeqytetit, duke dëgjuar problematikat e tyre dhe vështirësitë që hasin në operimin pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Sipas kryedemokratit, bizneset po operojnë me humbje për shkak të taksave të larta, xhiros së ulur dhe rënies së fuqisë blerëse. Gjithashtu mbështetja e qeverisë sipas tij nuk është e mjaftueshme për sipërmarrësit që të mbajnë hapur aktivitetin, duke çuar shpesh në falimentimin e tyre.
Z.Basha në bashkëbisedimin me sipërmarrësit u ka thënë atyre se një nga prioritet e opozitës është së pari t’i kthejë vendit një qeverisje normale, që nuk shkakton presion me inspektorët në terren dhe të vendosë një taksë vjetore në masën 0.5%
“Dy gjëra dua të them. E para, duhet të çliroheni nga ky ankth edhe si qytetar, edhe si biznese. Kjo është sfida ime e parë nesër: t’ju çliroj nga ky ankth. Të mos shikoni më inspektorë me sy. Vetëm 0.5% do të jetë taksa vjetore. S’do të keni tarifa dhe taksa lokale, do të keni pullën këtu tek dera dhe nuk do të lejohet prani inspektori në biznes. Sepse prania e inspektorëve në biznes, është shkak për korrupsion. Zgjidhja që kemi bërë ne është do të vendosim një pullë, pasi të keni shlyer detyrimin 0.5% të xhiros vjetore dhe asnjë taksë tjetër”.
Kreu i PD-së, ka vijuar retorikën se qeveria në pushtet është e lidhur pas një rrethi të ngushtë financiar, duke bërë kështu një ndarje të pabarabartë të pasurisë monetare në treg, gjë e cila krijon edhe klimë jo të favorshme për biznesin e vogël, që lufton në kushtet e mbijetesës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.