Bashkëpunimi Kinë-Shqipëri – Jang Yu: Biznesi kinez has vështirësi, të përmirësohet klima
Kina tashmë është kthyer në investitorin kryesor të huaj në Shqipëri, njëherësh edhe një partner i rëndësishëm tregtar.
Në një tryezë mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve, Ambasadorja e Kinës He Jang Yu tha se investimet kineze në Shqipëri e kalojnë totalin e 700 milionë dollarëve, duke punësuar mbi 1,500 njerëz dhe me një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.
Por ndërsa parashtroi propozimet për një bashkëpunim edhe më të ngushtë, Ambasadorja Ju kërkoi një klimë më të favorshme biznesi nga ana e autoriteteve shqiptare.
Ajo theksoi nevojën e masave lehtësues për bizneset e huaja, duke nënvizuar se jo rrallë bizneset përballen me një sërë pengesash e vështirësish.
Tryeza e Rrumbullakët u zhvillua në kuadrin e nismave “Një Brez një Rrugë” dhe “Bashkëpunimi 16+1”, të ndërmarra nga Qeveria Kineze për rritjen e partneritetit ekonomik në vendin tonë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.