Bashkëpunimi me Kosovën, Rama: ‘’Do dëgjoj idetë e freskëta të Albinit, ja çfarë propozoj unë”
Kryeministri Rama në rastin e konferencës së përbashkët që po mban me ministrin Gent Cakaj për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit diplomatike dhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian ka ndalur edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe politik në të ardhmen me Kosovën.
Rama ka pranuar se ka nevojë për një shtysë të re në marrëdhëniet me Kosovën dhe për këtë arsye ai pret me padurim takimin me kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti, I cili sipas tij I ka kërkuar takim dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt:
“E pres me shumë kënaqësi. E kam ndjekur në prononcimet e tij. Bie dakord me të që ka nevojë për një shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe në raport me marrëveshjet e bëra. mendoj që duhet të shkojmë përtej marrëveshjeve të bëra dhe që me qeverinë e re të mbushim boshllëqet e krijuara me qeverinë e mëparshme”
Më tej ai ka thënë se do të bëjë edhe një propozim konkret në këtë takim për të përforcuar bashkëpunimin:
“Kam disa propozime të reja që do ia bëj atë. Mendoj se është momenti për të vendosur një ministër shteti për bashkëpunimin në të dy vendet dhe një pikë bashkëpunimi institucionale. Me shumë kënaqësi do dëgjoj dhe idetë e freskëta të Albinit, tani që do marrë përgjegjësinë dhe do kalojë nga poezia e opozitës në atë të prozës.”
Më tej kryeministri Rama ka thënë se Kosova është e ftuar në procesin e “Shengenit Ballkanik” në takimin e radhës, i cili do të mbahet në 10 Nëntor në Ohër.
Sipas tij mes tre vendeve nismëtare nuk ka ende një marrëveshje të firmosur por vetëm një dakordësim parimor për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave në rajonin tonë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.