Bashkia e Kamzës: 1061 familjeve u është refuzuar ndihma ekonomike nga mosregjistrimi te Zyrat e Punës!
Bashkia e Kamzës shpreh shqetësimin se ka me mijëra ankesa nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, të cilët, pasi shkojnë në zyrat e punës, nuk regjistrohen si të tillë, pra Zyra e Punës, nuk u jep qytetarëve kartonin e papunësisë.
“Qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit paraqiten çdo ditë pranë Zyrës së Punës në Tiranë (duke qenë se e hoqën nga Kamza), humbin kohë duke qëndruar në radhë dhe para për të shkuar deri atje dhe, pasi shkojnë, u jepet një copë letër për t’u paraqitur në një nga sportelet jo atë ditë, por pas disa ditëve të tjera dhe kur shkojnë, as që bëhet fjalë t’u gjendet punë. Qytetarëve u kërkohet në mënyrë të përsëritur të paraqiten te Zyra e Punës dhe përgjigjja është e njëjtë: ‘S’ka punë!’ Kjo është e konstatueshme nga kontaktet që kemi me qytetarët, por edhe po të shkosh në ambientet e Zyrës së Punës, e njëjta situatë ndodh edhe për banorët e njësive administrative të tjera”, – thotë kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu.
Referuar deklaratës së shpërndarë për mediat, kryebashkiaku e ka cilësuar si skandal këtë gjë për faktin se zyrat e punës duhet t’u gjejnë punë qytetarëve ose në të kundërt duhet t’i regjistrojnë si të papunë, duke u dhënë kartonin e papunësisë, pra për t’i pranuar zyrtarisht me këtë status.
“Kjo nuk po ndodh dhe problem është ky fakt në Bashkinë Kamëz jo vetëm për qytetarët që verbërisht besojnë në funksionin e kësaj zyre pune, por më shumë problematike është për mijëra familje të cilat Shërbimi Social Shtetëror i ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike, me pretekstin se nuk paraqiten pranë Zyrës së Punës. Me konkretisht, nga muaji shkurt deri në muajin shtator Shërbimi Social Shtetëror në vendimet e njëpasnjëshme mujore ka refuzuar nga skema e ndihmës ekonomike 1061 familje me motivacionin: “Nuk janë paraqitur tek Zyra e Punës si punëkërkues”. Por në fakt e vërteta është që banorët janë paraqitur, por janë ndeshur me talljen dhe mos regjistrimin si të papunë, për t’u dhënë kartonin e papunësisë, ose statusin e të papunit!” vijon deklarata.
Më herët, kryetari i Bashkisë Kamëz ka denoncuar faktin e largimit të Zyrës së Punës nga Kamza.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.