Bashkitë, 70.2 milionë euro borxhe – Pandemia, vendorët rritën detyrimet e prapambetura me 5 milion euro në 3 muaj
61 bashkitë në të gjithë vendin aktualisht kanë për të shlyer afro 70.2 milionë euro borxhe. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Financave Vendore për tremujorin e dytë të vitit, stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit Qershor 2020, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave, arrin në rreth 8.7 miliard lekë. Shqetësues është fakti se bashkitë jo vetëm që nuk kanë pasur progres të dukshëm në planin e shlyerjes, por kanë rritur detyrimet gjatë kësaj periudhë me rreth 629 milion lekë apo 5 milionë euro, krahasuar me vlerën e detyrimeve të raportuar në tremujorin e parë të vitit 2020, dhe afro 4.6 milion euro krahasuar me stokun e detyrimit në fund të vitit 2019.
Në total, stoku i detyrimit të mbetur në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 është rritur me rreth 4.8 milionë euro. Sipas kategorive, zëri “Investime” zë peshën më të madhe të stokut të detyrimit me rreth 52%, “Mallra dhe Shërbime” me rreth 22%, “Vendime Gjyqësore” me rreth 14%, “Të tjera” me rreth 9%, dhe “TVSH dhe kosto lokale” me rreth 3%. Pesha që zë stoku i detyrimit të mbetur në të gjitha kategoritë mbetet thuajse në të njëjtat nivele sa në tremujorin e parë të vitit 2020. Sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore, rritja e stokut të detyrimit të bashkive në total ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e situatës së vështirë financiare të krijuar nga pandemia COVID-19. Detyrimet e krijuara rishtazi lidhen kryesisht me kategorinë “Investime”, “Mallra dhe Shërbime” dhe “Vendime Gjyqësore”.
Detyrimet e prapambetura të bashkive
Janar-Mars 2020 65.2 mln euro
Prill- Qershor 2020 70.2 mln euro
Detyrimet sipas zërave
Investime 52%
Mallra dhe Shërbime 22%
Vendime Gjyqësore rreth 14%
Të tjera rreth 9%
TVSH dhe kosto lokale 3%
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.