Bashkitë menduan për veten – Ulën investimet, rritën shpenzimet për pagat
Ashtu sikurse i gjithë viti 2018, dhe 3 mujori i parë i 2019 tregoi se 61 bashkitë në vend menduan më së shumti për veten në shpenzimin e buxhetit sesa për investimet publike për të përmirësuar shërbimet për qytetarët. Sipas të dhënave nga raporti i financave vendore për periudhën Janar-Mars 2019, shpenzimet korrente shënuan një nivel prej rreth 8.9 miliardë lekë në rritje me rreth 3.5% në terma vjetorë. Në të kundërt, ecuria e shpenzimeve kapitale me fonde të veta kontribuoi negativisht në ecurinë e shpenzimeve totale. Ndër përbërësit e shpenzimeve korrente, shpenzimet për personelin (paga dhe sigurime) përbënë rreth 5.3 miliardë lekë gjatë periudhës së konsideruar, në rritje me rreth 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Shpenzimet për personelin vijojnë të ndjekin prirje rritëse vjetore, ndonëse me ritme më të moderuara ndikuar dhe nga shuarja e efektit të rritjes së numrit të punonjësve si pasojë e transferimit të funksioneve të reja. Shpenzimet operative dhe të tjera regjistruan një nivel prej rreth 3.6 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë të 2019, me një rritje modeste prej 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa shpenzimet për investime shënuan një vlerë prej rreth 3.7 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë të vitit 2019, në rënie me rreth -1.3% në terma vjetorë. Çka do të thotë që edhe në nisje të vitit, qytetarët nuk kanë marrë investimet për të cilat paguajnë taksa dhe tarifa vendore.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.