Bashkohen institucionet e pronës – Lame: 60 mijë ndërtime legalizohen Brenda 2 vitesh, 160 mijë në përfundim
Rreth 160 mijë ndërtime pa leje, janë aktualisht në proces legalizimi nga ALUIZNI, ndërkohë që në proces pritet të përfshihen në total rreth 227 mijë objekte. Shifrat janë bërë publike nga Kreu i këtij institucioni, Artan Lame, sipas të cilit, pritet të mbeten jashtë procesit rreth 60 mijë ndërtime pa leje me shkelje të rënda, të cilat janë ta palegalizueshme.
Lame ishte të martën në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ku propozoi dy projektligje që parashikojnë zgjidhjen e çështjes së pronës në vend përmes krijimit të një Agjencie unike për gjithë institucionet e pronës, si dhe përfundimin e procese tranzitore mbi pasuritë që zvarriten prej dekadash.
Ai vuri në pah një seri problemesh të rënda që mbajnë peng çështjen e pronës në Shqipëri, që nisin nga ndarja e tokës bujqësore pas viteve 90’, te privatizimet, te kthimi i pasurive te pronarët e hershëm, apo deri te vetë procesi i legalizimit. Lame tha se edhe vetë ALUIZNI, e kishte regjistruar godinën e vet në Hipotekë vetëm përpara një muaji, ndërkohë që të paregjistruara mbeten thuajse të gjitha institucionet shtetërore.
Dy projektligjet e propozuara në Kuvend parashikojnë së pari përfundimin e proceseve tranzitore, siç janë ligji 7501, privatizimi, apo legalizimi i ndërtimeve pa leje, dhe së dyti, unifikimin e 4 institucioneve në vend nën Agjencinë Shtetërore te Kadastrës, e cila do koordinojë punën mes tyre, do dixhitalizojë regjistrat e pasurive, do heqë hallkat e panevojshme, për t’i dhënë në fund zgjidhje sistematike çështjes së pronave në vend.
Jashtë kësaj strukture të unifikuar do të mbetet, Agjencia e Trajtimit të Pronave, e cila do vijojë punën në bazë të vendimeve që do të japë Strasburgu për çështjet e depozituara nga qytetarët shqiptarë në këtë Gjykatë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.