BB “kursen” Shqipërinë – Nuk ul projeksionet, Maqedoninë e “shpartallon”
Banka Botërore ka mbajtur të pandryshuara projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti dhe dy viteve të ardhshme. Kështu, projeksionet mbeten të pandryshuara me ato të Janarit, në 3.6, 3.5 dhe 3.5% respektivisht. Edhe sa i përket vendeve të tjera të rajonit, të gjitha vlerësohen në të njëjtat nivele me Janarin, me përjashtim të Maqedonisë, ku projeksionet kanë pësuar një rënie drastike. Në Maqedoni projeksionet janë ulur me 0.9, 1.2 dhe 1% respektivisht gjatë të tre viteve.
Kjo, si dhe mos rishikimi i vendeve të tjera të rajonit në rritje ka bërë që vendi ynë të vijojë të mbajë pozicionin e ekonomisë me rritjen më të shpejtë në rajon. Gjatë këtij viti, Serbia projektohet të ketë një rritje ekonomike në 3%, Mali i Zi, në 2.8%, Maqedonia në 2.3% dhe Bosnje Hercegovina në 3.2%. Në krahasim me institucionet e tjera ndërkombëtare, Banka Botërore mbetet ajo më pesimiste në drejtim të qëndrimit për ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Moody`a dhe Komisioni Europian kanë vlerësime bindshëm më të larta. Nga ana tjetër, në projeksionet e sapo përditësuara, Banka Botërore ka rishikuar në rënie të lehtë ecurinë e ekonomisë globale, çka do të ketë ndikim edhe në ekonominë tonë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.