BB mbështet reformat – $70 mln për të nxitur konkurrueshmërinë dhe investimet
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Banka Botërore thekson se, bordi i drejtorëve ekzekutiv ka aprovuar një hua për Shqipërinë në vlerën e 70 milionë dollarëve. Kjo hua do të shkojë për të mbështetur zhvillimin e politikave të konkurrueshmërisë.
“Ky projekt mbështet reformat që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së vendit nëpërmjet përmirësimit të regjimit të investimeve, bërjes më të lehtë të aktivitetit të biznesit dhe lehtësimit të tregtisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.
Projekti i ri prej 70 milionë dollarësh vjen në kuadër të reformave që po ndërmerr qeveria shqiptare që kanë për objektiv integrimin e vendit në sferën ndërkombëtare. Mbështetja e Bankës Botërore ndaj këtyre reformave do të vijë nëpërmjet tre fushave kryesore, citon vetë institucioni.
Së pari, formimin e kuadrit të politikave për investimet. Në këtë pikë përfshihen edhe masa shtesë për implementimin e një ligji gjithëpërfshirës për mbrojtjen e investitorëve, një kërkesë kjo e kahershme e institucioneve ndërkombëtare në tërësi.
Ky ligj parashikon një mekanizëm ankimimi dhe një mekanizëm për ruajtjen e investimeve, kryesisht ato të huaja. Fusha e dytë fokusohet në lehtësimin e procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit dhe lejes së biznesit.
Fusha e tretë i referohet lehtësimit të tregtisë dhe logjistikës, nëpërmjet thjeshtëzimit të procedurave të zhdoganimit në pikat e kalimit kufitar.
“Këto masa plotësojnë reformat makrofiskale dhe strukturore në vazhdim dhe mbështeten në frymën reformuese që kërkon të orientojë ekonominë drejt investimeve në sektorin privat dhe eksporteve”, thekson më tej Banka Botërore.
“Pas stabilizimit të ekonomisë, është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria të ketë edhe kuadrin e duhur ligjor për investitorët dhe një mjedis sa më miqësor për biznesin në mënyrë që të tërheqë dhe mbajë investime që sjellin rritje më të shpejtë dhe vende pune të krijuara nga sektori privat, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë”, deklaroi Tahseen Sayed, Menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë.
“Ky projekt do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe rritjen e mundësive që rrjedhin nga marrëveshjet e Shqipërisë me Organizatën Botërore të Tregtisë”, thuhet në njoftim.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.