BB, optimiste për Shqipërinë – “Ekonomia po përshpejtohet, varfëria do të ulet”
Banka Botërore ka publikuar raportin e fundit të vlerësimit makroekonomik për vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, me titull: “Tregtia në tranzicion”.
Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, Banka Botërore në këtë raport veçse analizon performancën e mirë ekonomike të vitit të kaluar, flet edhe për projeksionet optimiste në terma afat-mesëm.
“Projeksionet ekonomike të ekonomisë shqiptare pritet të përmirësohen në terma afat-mesëm. Rritja projektohet në 3.5% gjatë periudhës 2017-2018 dhe pritet të rritet më tej në 3.8% në 2019”, nënvizon Banka Botërore, që duket ndjeshëm më pak optimiste se qeveria shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo edhe Komisioni Europian.
Të dy këto institucione publikuan vetëm një ditë më parë projeksionet e pranverës.
Sa i përket rreziqeve, Banka Botërore evidenton dy, që të dyja të jashtme. E para i referohet ngadalësimit të eurozonës, që do të kishte impakt edhe në Shqipëri, dhe e dyta i referohet normalizimit të normave të interesit në nivel global.
“Kjo përbën një rrezik për ekonominë Shqiptare”, nënvizon Banka Botërore.
Për shkak të këtyre rreziqeve, institucioni e vë theksin te rëndësia e reformave, sidomos ajo në drejtësi, sektorin energjetik, tregun e punës dhe adresimin e kredive me probleme.
“Përshpejtimi i ekonomisë dhe përmirësimi i tregut të punës do të ulin shkallën e varfërisë”, thotë raporti i Bankës Botërore. “Varfëria pritet të zbresë në 43.23% gjatë vitit aktual, në 41.6% vitin e ardhshëm dhe në 40% në 2019”, thekson institucioni.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.