BB pa doza optimizmi – Rritja ekonomike në Shqipëri nuk i kalon 3.6%, Kosova zhvlerësohet tërësisht
Ashtu si çdo fillim vit, Banka Botërore ka publikuar e para projeksionet e ekonomisë globale. Sa i përket ekonomisë shqiptare, ato janë rishikuar lehtë në territor pozitiv. Por, pavarësisht kësaj, duket se nuk ka vend për optimizëm, pasi deri në vitin 2021, projeksionet sinjalizojnë një rritje ekonomike në 3.5%. Norma e 4% është objektiv i vazhdueshëm i qeverisë shqiptare ndërkohë që niveli i 5% vlerësohet nga vetë ajo si minimum i nevojshëm në mënyrë që rritja ekonomike të ndihet edhe te xhepat e qytetarëve.
Përgjatë këtij horizonti, deri në 2021, Banka Botërore nuk sheh asnjë arsye përse të projektojë një rritje më të madhe se 3.5%. Përjashtim të vogël bën viti aktual, ku rritja projektohet në 3.6%, lehtë mbi projeksionet e mëparshme dhe bindshëm përtej vlerësimeve paraprake të rritjes gjatë vitit që lamë pas, ku shifrat sinjalizojnë një normë në 4%. Në rajon ndërkohë, Kosova dhe Shqipëria vlerësohet të jenë dy ekonomitë me rritjen më të shpejtë këtë vit, në 4.5% dhe 3.6% respektivisht, ndërkohë që ekonomia me rritjen më të dobët projektohet ajo e Malit të Zi, me një normë në 2.8%.
Ajo që bie tjetër në sy është fakti se, Banka Botërore ka rrëzuar tërësisht projeksionet për Kosovën, me 0.6 pikë përqindje për 2018, dhe me nga 0.3 pikë përqindje për këtë vit dhe atë të ardhshëm. Ky zhvlerësim vjen në një kohë që qeveria e Kosovës është futur në një përplasje totale me Serbinë duke bllokuar tregtinë, ndërkohë që reagimet e Bashkimit Europian kanë qenë deri diku të ashpra.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.