BB shkurton projeksionet për Shqipërinë – Ekonomia bie me 8.4% këtë vit, nuk ka rimëkëmbje në 2021
Banka Botërore ka shkurtuar sërish projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë, dhe tani flet për një tkurrje prej 8.4% këtë vit, që i afrohet projeksionit pesimist të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prej -9%. Këto shifra përbëjnë një shkurtim të ndjeshëm krahasuar me qershorin, kur Banka Botërore fliste për një rënie të ekonomisë prej 5.4% këtë vit. Sa i përket vitit të ardhshëm, ekonomia projektohet në një rritje prej 5%, nga 8.8% që parashikohej në muajin qershor, kur institucioni me bazë në Washington publikonte projeksionet e fundit. Skenari negative i vitit të ardhshëm ndërkohë, flet për një rritje ekonomike në vetëm 3%.
Ashtu si Berzh, tashmë edhe Banka Botërore sinjalizon të njëjtën gjë: vitin e ardhshëm nuk do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë, pra nuk do të mund t`i kthehet dot ritmeve të para pandemisë, ashtu siç parashikohej në qershor. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova dhe Mali i Zi projektohet të kenë një kolaps më të rëndë të ekonomisë këtë vit. Mes reshtave dedikuar Shqipërisë, Banka Botërore nënvizon se varfëria do të rritet, por edhe se një farë lehtësimi për ekonominë do të vijë nga procesi i rindërtimit. “Në vitet në vijim, konsumi privat do të luajë një rol në rritje në termat e rritjes. Investimet publike dhe private do të kontribuojnë gjithashtu te rritja. Në nivel sektorial, shërbimet, të udhëhequra nga turizmi dhe ndërtimit pritet të jenë motorri i rritjes”-thotë Banka Botërore mes reshtave.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.