BE bleu 44 miliardë dollarë energji nga Rusia – Gjatë periudhës së luftës vlera totale u dyfishua, por jo volumi
Vendet anëtare të Bashkimit Europiane kanë blerë rreth 44 miliardë euro energji nga Rusia mes datës 24 shkurt, kur filloi pushtimi i Ukrainës, deri më 24 prill, referuar një raportimi të CNN, që citonte informacionet nga Qendra e pavarur për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.
Analisti i kësaj qendre, Lauri Myllyvirta deklaroi për CNN se importet e energjisë së vendeve të BE-së nga Rusia thuajse u dyfishuan gjatë periudhës së luftës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsesi, ishin çmimet më të larta që ndikuan në këtë shifër dhe jo volumet. Statistikat zyrtare tregojnë se gjatë periudhës 2-mujore, importet e gazit nga Rusia u rritën me 10% me bazë vjetore, ndërsa importi i gazit të lëngshëm natyror u rrit me 20%.
Në anën tjetër, importi i naftës dhe qymyrit ra me 20% dhe 40% respektivisht, gjatë së njëjtës periudhe. Ndërkohë, katër kompani europiane e kanë paguar tashmë në rubla gazin e blerë, ashtu sikurse kërkoi Rusia, ndërsa dhjetë kompani të tjera kanë hapur llogari pranë Gazprom Bank, raporti Bloomberg, duke cituar burime të afërta me çështjen.
Kompania gjermane e energjisë, Uniper, deklaroi se do të blerë gaz nëpërmjet bankave ruse dhe jo përmes bankave europiane. Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, firmosi një dekret mbi rregullat e reja të tregtimit të gazit me vendet që ai i quajti “jomiqësore”, duke paralajmëruar se do të ndërpresë kontratat ekzistuese nëse blerësit refuzojnë të paguajnë në rubla. Dhe pikërisht kështu bëri me dy vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Poloninë dhe Bullgarinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.