BE do të shmangë sanksionet – Le Maire: SHBA nuk janë policët ekonomikë të të gjithë botës
Franca po sheh për mundësitë se si Bashkimi Europian të kompensojë firmat e kontinentit, që përballen me rrezikun e sanksioneve amerikane, për vazhdimin e marrëdhënieve të biznesit me Iranin.
Ministri i Financave, Bruno Le Maire, i’u referua rregullave të Bashkimit Europian që nga viti 1996, që sipas tij mund të lejojnë bllokun që të ndërhyjë në mënyrë që të mbrojë kompanitë kundër sanksioneve amerikane, duke shtuar se Franca kërkon që 27 vendet anëtare të ashpërsojnë qasjen për këtë çështje.
Në vitin 1996, kur Shtetet e Bashkuara u përpoqën të penalizojnë kompanitë e huaja për lidhjet e biznesit me Kubën, Bashkimi Europian detyroi Washingtonin që të tërhiqet, duke kërcënuar me sanksione europiane.
Firmat europiane që bëjnë biznes me Iranin përballen me sanksione nga SHBA, pasi Donald Trump tërhoqi Amerikën nga pakti bërthamor i 2015-ës me vendin e Lindjes së Mesme. “Nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të jenë policët ekonomikë të të gjithë botës”, tha ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
Ai shtoi se është e rëndësishme që Italia të vazhdojë respektimin e rregullave të buxhetit të BE, ndërkohë që qeveria populiste ka shpalosur planet e rritjes së shpenzimeve, që bien ndesh me rregullat e unionit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.