Be hap kufirin për shqiptarët – Vendimi i vendeve anëtare: Do lejohen edhe udhëtimet joesenciale, ku futet dhe turizmi
Qeveritë e Bashkimit Evropian ranë dakord të mërkurën për të shtuar Shqipërinë në listën e vendeve nga të cilat ata do të lejojnë udhëtime jo-thelbësore, ku përfshihet edhe turizmi. Vendimi u bë publik nga diplomatët e Bashkimit Evropian, duke listuar vendin tonë krahas edhe disa vendeve të tjerë, sikurse është Maqedonia e Veriut apo Serbia, te vendet ku do të hiqen kufizimet. Gjithashtu, diplomatët thanë se vende individuale të BE-së ende mund të zgjedhin të kërkojnë një test negativ COVID-19 ose një periudhë karantine.
Tashmë, do të duhen udhëzimet individuale të shteteve, për të përcaktuar modalitete sesi do të udhëtojnë shtetasit shqiptarë, por referuar praktikave të deritanishme janë 3 forma që lejojnë lëvizjen. Një është paraqitja e certifikatës së vaksinimit, forma e dytë është testi negative për Covid-19, ndërsa e treta parashikon paraqitjen enjë dokumenti që e ke kaluar infeksionin gjatë 9 muajve të fundit. Vendimi i vendeve të Bashkimit Evropian u përshëndet dhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtës Sociale, Ogerta Manastriliu, e cila e konsideroi një lajm të shumë pritur, por edhe një shenjë se po shkojmë drejt normalitetit që pot ë gjithë dëshirojmë.
Me gjasë, vendimi është marrë bazuar në situatën epidemiologjike të vendit tonë, që në javët e fundit ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm. Sipas shifrave zyrtare, aktualisht në vendin tonë numërohen vetëm 136 raste aktive me COVID-19, ku numri më i madh i tyre është në Shkodër me 43 raste. Pas saj vjen Tirana me 37 raste aktive dhe Berati me 17 raste. Vlora është qarku i parë që nuk regjistron raste aktive me infeksionin.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.