BE ”lan duart” me marrëveshjen e Brexit: ”Ne kemi bërë gjithçka që është e mundur”
Brukseli ka ‘’larë duart’’ me Theresa May për ta ndihmuar atë të arrijë marrëveshjen e saj Brexit përmes parlamentit.
Menjëherë pasi deputetët hodhën poshtë paketën e tërheqjes ,për herë të dytë të martën në mbrëmje, zëdhënësi i presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, tha se BE kishte “bërë gjithçka që është e mundur për të arritur një marrëveshje”.
“Duke pasur parasysh garancitë shtesë të siguruara nga BE në dhjetor, janar dhe dje, është e vështirë të shihet se çfarë mund të bëjmë më shumë. Nëse ka një zgjidhje për bllokimin aktual, ajo mund të gjendet vetëm në Londër, “u tha ai gazetarëve në Bruksel.
Zëdhënësi i z. Tusk tha se blloku ndjenjte keqardhje për rezultatin e votimit dhe se ishte “i zhgënjyer që qeveria e Britanisë së Madhe nuk ka qenë në gjendje të sigurojë shumicën për marrëveshjen e tërheqjes së dakorduar nga të dyja palët në nëntor”.
Përgjigjja e BE kujton një paralajmërim të dhënë nga presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker të hënën, përpara votimit, ku u shpreh se nuk do të kishte “shanse të treta” për Britaninë dhe se nuk do të ketë bisedime të mëtejshme, nëse marrëveshja e tërheqjes do të mposhtej në takimin e së martës.
Si presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk flet në emër të shteteve anëtare, të cilët Britania do të duhet të bindë nëse vendos të zgjerojë nenin 50.
“Me vetëm 17 ditë mbetur deri më 29 mars, votimi i sotëm ka rritur ndjeshëm gjasat e një Brexit pa marrëveshje. Ne do të vazhdojmë përgatitjet tona pa marrëveshje dhe do të sigurohemi se do të jemi gati nëse krijohet një skenar i tillë, “tha Zëdhënësi i z. Tusk
Udhëheqësit kombëtarë të shteteve anëtare dhanë një mesazh të ngjashëm me figurat e Brukselit. Mark Rutte, kryeministri hollandez, paralajmëroi se “një zgjidhje duhet të vijë nga Londra” në bllokimin aktual. Ndërkohë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se rezultati kishte ardhur “pavarësisht nga përpjekjet e BE për të arritur rezultate pozitive në lidhje më marrëveshjen’’.
Sanchez shtoi se : “Projekti evropian duhet të ecë përpara për të siguruar lirinë, stabilitetin dhe prosperitetin. Ne kemi nevojë për qeveritë evropiane. Le të mbrojmë Evropën në mënyrë që Europa të na mbrojë ne. “
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.