BE merr masa për Brexit – Publikohen masat e emergjencës, në rastin e daljes pa marrëveshje
Bashkimi Europian ka përfunduar parapërgatitjet për daljen e Britanisë pa një marrëveshje të divorcit, lajmëroi Komisioni në nisje të javës. Javën e kaluar, Brukseli ra dakord të vonojë Brexit për shkak të shqetësimeve mbi daljen pa marrëveshje.
Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, lajmëroi masat e emergjencës në faqen në web. Ndër këto përfshiheshin; respektimi i kontratave ekzistuese britanike për 2019, sigurimi i lidhjes bazike rrugore dhe ajrore mes BE dhe Britanisë, masa të përkohshme për të shmangur ndërprerjet në shërbimet financiare si dhe vazhdimi i udhëtimit pa viza në BE për britanikët, nëse Londra e ofron gjithashtu këtë gjë për europianët.
Nëse ndodh dalja pa marrëveshje, Mbretëria e Bashkuar do të kthehet në një vend të tretë dhe do të bëhen menjëherë efektive tarifat europiane dhe kontrollet në kufij. Periudha e tranzicionit nuk do të ndodh, çka nënkupton se do të ketë ndërprerje të mëdha për njerëzit dhe bizneset.
Ligjet e Bashkimit Europian, nuk do të aplikohen më në Mbretërinë e Bashkuar dhe marrëdhëniet do të drejtohen nga Organizata Botërore e Tregtisë. Në samitin e javës së kaluar në Bruksel, liderët europian i ofruan Britanisë 2 opsione; të vonohet Brexit nëse miratohet marrëveshja e Theresa May në Parlament, apo të dalë më 12 Prill pa marrëveshje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.