BE negocion për tarifat – I ofron SHBA akses më të madh në treg për të shmangur luftën tregtare
Liderët e Bashkimit Europian, deklaruan se janë gati të negociojnë hapjen e tregut ndaj importeve të SHBA, përfshirë makinat, në përpjekje për të shmangur luftën tregtare me Washingtonin. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi tarifa në importe në 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, për arsye të sigurisë kombëtare dhe ka përjashtuar prodhuesit europian deri në datën 1 Qershor, në varësi të bisedimeve.
Liderët e Bashkimit Europian të mbledhur në Sofje, u përpoqën të arrijnë në një qëndrim të përbashkët, duke balancuar interesat e vendeve si Gjermania që kërkojnë të shmangin konfliktin, me vende të tjera përfshirë Francën që janë dakord me SHBA. “Ne kemi një qëndrim të përbashkët, kërkojmë përjashtim të përhershëm nga tarifat e më pas jemi gati që të bisedojmë mbi mënyrat se si mund të reduktojnë barrierat tregtare”, tha Merkel.
Diplomatët europianë thonë se nevoja për një qasje të përbashkët nuk ka të bëjë vetëm me tarifat. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr edhe nga pakti bërthamor me Iranin, duke kërcënuar kompanitë europiane që bëjnë biznes me vendin e Lindjes së Mesme. Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord mbi 4 fusha në të cilat blloku do të negociojë me Shtetet e Bashkuara, me kusht që Washingtoni të përjashtojë në mënyrë të përhershme bllokun nga tarifat. Fushat e identifikuara për bashkëpunim janë aksesi në treg për produktet industrialë, përfshirë makinat, energjinë, bashkëpunim të mundshëm mbi rregullimin dhe reforma në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.