BE ofron 400 milionë euro për “COVAX”. Financon iniciativën e OBSH-së për blerjen e vaksinave të Covid-19
Komisioni Europian deklaroi në nisje të Javës se do të kontribuojë me 400 milionë euro ndaj një iniciative të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të blerë vaksina të Covid-19. Iniciativa, e quajtur COVAX, synon të blejë 2 miliardë doza të vaksinës së Covid-19 nga disa prodhues, deri në fund të vitit 2021. Komisioni Europian po negocion marrëveshje të blerjes në avancë të vaksinave të Covid-19 nga disa prodhues të barnave, për të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Komisioni ka bërë të ditur në të javët e kaluara se qeveritë e BE nuk mund të blejnë vaksina nëpërmjet skemave paralele të prokurimit. “Sot, Komisioni po lajmëron një kontribut prej 400 milionë euro ndaj COVAX, për të bashkëpunuar në blerjen e vaksinave të ardhshme, në përfitim të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme”,- deklaroi presidentja e komisionit, Ursula Von der Leyen. Komisioni shtoi në një deklaratë se është gati, së bashku me vendet anëtare, që të vendosë ekspertizë dhe burime tek iniciativa COVAX, për të përshpejtuar zhvillimin dhe prodhimin e vaksinës për qytetarët në të gjithë botën, në vende të pasura dhe të varfëra.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.