BE përgatit ofertën e Brexit – Tusk: Pritet vonesë e shkurtër, me kusht që britanikët të votojnë
Liderët e Bashkimit Europian janë takuar në Bruksel për t’i dhënë Kryeministres britanike Theresa May një ofertë për të vonuar Brexit përtej 29 Marsit, me kusht që ajo të bindë parlamentin javën e ardhshme. Pas 3 vitesh kur britanikët votuan në referendum për të dalë nga Bashkimi Europian, Theresa May ka dështuar të bashkojë kabinetin e saj, parlamentin apo të gjithë popullin, për të përkrahur planin e saj. Ajo i kërkoi Bashkimit Europian që të vonojë Brexit deri më 30 Qershor, në mënyrë që të ketë kohë për të kaluar marrëveshjen në parlament. Presidenti i Këshillit Donald Tusk, tha se do të konsiderohet një zgjatje e shkurtër e afatit.
“Mendoj se është e mundur një zgjatje e shkurtër e afatit. Por, kjo do të ketë një kusht, që është votimi në parlament për marrëveshjen e daljes. Nëse ka një votim pozitiv në Britani javën e ardhshme, atëherë mund të përfundojmë dhe formalizojmë vendimin mbi shtyrjen e afatit.”
Vonesa e Brexit duhet të miratohet në mënyrë unanime nga 27 liderët e shteteve, që janë irrituar nga paaftësia e Britanisë për të gjetur një zgjidhje brenda vendit. Franca kërcënoi se do të refuzojë kërkesën e Theresa May dhe Komisioni Europian bëri të ditur se Britania duhet të dalë më 23 Maj që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Theresa May tha se kundërshton tejzgjatjen e afatit, duke i kërkuar parlamentit që të zgjedhë mes marrëveshjes së saj, daljes së ç’rregullt apo anulimit të Brexit.
“Është koha që parlamenti të vendosë. A kërkojnë të dalin nga Bashkimi Europain me një marrëveshje që mbron vendet e punës dhe sigurinë kombëtare? Kërkojnë të dalin pa marrëveshje? Apo mbase nuk duan të dalin fare, ç’ka do të shkaktonte dëm të pandreqshëm në besimin e publikut.
Liderët e Bashkimit Europian pritet të bien dakord me zgjatjen teknike, që synon t’i japë Britanisë kohë për të kaluar legjislacionin, nëse parlamenti miraton marrëveshjen e daljes përpara datës 29 Mars.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.