BE, reforma e TVSH – KE propozon ndryshime, për ti dhënë fund shmangies dhe mashtrimeve
Komisioni Europian do të propozojë këtë javë disa ndryshime në mënyrën e caktimit të taksave për shitjen në Bashkimin Europian, në përpjekje për t’i dhënë fund shmangies tatimore dhe mashtrimeve.
Masat e reja për tatimin mbi vlerën e shtuar do të trajtojnë kryesisht mashtrimet ku kompanitë përfitojnë rimbursimin për këtë taksë nga shitjet përtej kufijve në vend që t’i paguajnë në qeveritë lokale.
Kjo lëvizje do të përfundojë gjithashtu praktikën e kompanive, që shmangin TVSH duke u bazuar në vende që kanë norma të ulëta të taksës.
Tashmë, nën një rregull të përgjithshëm, do të duhet të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar të ngarkuar nga vendi ku shiten produktet.
Ky parim është themeluar nga rregullore të përkohshme, ndërsa reforma e propozuar do ta bëjë të përhershëm. “Sistemi përfundimtar i tatimit mbi vlerën e shtuar do të bazohet nën parimin e tatimit në vendin anëtar të destinacionit”, shkruan dokumenti i Komisionit.
Ndryshimet e propozuara pritet të përfundojnë në mënyrë të përhershme avantazhet tatimore për kompanitë furnitore që i shërbejnë tregut të BE nga një vend me taksa të ulëta, si ç’është rasti i Amazon, që është bazuar në Luksemburg.
Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian deklaroi se ndryshimet do të reduktojnë nevojën e një politike për një normë të harmonizuar të tatimit mbi vlerën e shtuar.
Deri në Nëntor, do të bëhen propozime të reja për të reformuar normat e kësaj takes, duke i dhënë shteteve më shumë fuqi që ti caktojnë.
Kjo lëvizje synon gjithashtu reduktimin e mashtrimeve që privojnë shtetet e BE nga sasitë e mëdha të të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Mashtrime të tilla përfshijnë zakonisht kompani që mbledhin taksën kur një produkt shitet por duke mos paguar drejt Qeverisë të vendit ku janë bazuar.
Mbledhja e taksës në vendin ku shitet produkti do të eliminonte këtë mashtrim.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.