BE ul projeksionet për Greqinë – Nga 2.7% në 2%, presion për të vepruar
Komisioni Europian do të rishikojë në territor negativ projeksionet për rritjen ekonomike të Greqisë gjatë këtij viti, nga 2.7% në vetëm 2%, deklaroi një zyrtar i lartë i unionit.
Ky rishikim afron projeksionet e Komisionit Europian me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe me shumë gjasa do të rrisë presionin ndaj parlamentit helen që të miratojë marrëveshjen e arritur pak ditë më parë me kreditorët.
Ligjbërësit grek duhet ta miratojnë marrëveshjen përpara se, ministrat e financave të Eurozonës të takohen në Bruksel më 22 Maj. Kjo është data që Eurogrupi pritet të zhbllokojë paratë për Greqinë, të lëna pezull prej muajsh.
Komisioni Europian pritet të publikojë projeksionet e rritjes dhe performancën makroekonomike për vendet e unionit javën e ardhshme, në kuadër të vlerësimit periodik të komisionit, që bëhet tre herë në vit. Zyrtarë brenda bllokut shprehen se, rishikimi i projeksioneve vjen si pasojë e pasigurisë së krijuar nga shtyrja në kohë e marrëveshjes.
Greqisë i duhen medoemos para, brenda muajit Korrik, kur duhet të paguajë edhe këstin e radhës.
Edhe në rast se më 22 maj do të ketë një marrëveshje politike, dhe parlamenti grek të ketë miratuar reformat, do të duhet ende kohë për të zhbllokuar paratë, kështu që nuk ka kohë për të humbur.
Madje, Maji shihet si afati i fundit për Greqinë, që të shmangë një faliment.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.