Befason Italia – ISTAT dyfishon rritjen ekonomike për T1 dhe për 2017
Ekonomia italiane, në mënyrë surprizë, u rrit me 0.4% gjatë tremujorit të parë të vitit, tregon zyra e statistikave në Itali, që në mes të Majit e projektonte paraprakisht rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tre muajve të parë në vetëm 0.2%, duke ngjallur edhe shumë polemika asokohe.
Të dhënat e rishikuara rrisin ndjeshëm edhe perspektivën e ekonomisë për të gjithë vitin aktual.
Në terma vjetorë ndërkohë, rritja gjatë kësaj periudhë kohore fiksohet në 1.2%, nga 0.8% që vlerësohej paraprakisht. Kjo është norma më e lartë që prej vitit 2010.
Kërkesa e fortë e brendshme ka qenë nxitësi kryesor i rishikimit të vlerësimeve për ekonominë e vendit.
Shifrat ndërkohë i vijnë në ndihmë qeverisë italiane dhe Partisë Demokratike, që gjatë ditëve të fundit po spekulon për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, këtë vjeshtë.
“Këto rezultate janë produkt i një pune serioze dhe rigoroze që ne kemi bërë”, deklaroi Matteo Renzi, i cili aktualisht është kreu i partisë në qeveri.
ISTAT rriti edhe projeksionet për vitin aktual, në 1.1% rritje. Të dhënat befasuese nxitën një marshim të tregjeve italiane të aksioneve.
Për ekspertët, lajmi më i mirë nuk është shifra në vetvete, por fakti se kjo rritje vjen nga faktorë të papritur, si konsumi privat, që është një matës i mirë i situatës reale të ekonomisë. Përpara rezultateve të fundit, ISTAT projektonte një rritje ekonomike përgjatë vitit në vetëm 0.6%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.