Bëhemi vendi më demokratik në rajon – Freedom House: Liria në Shqipëri njësoj si në 2018, por përkeqësohet Serbia
Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në drejtim të demokracisë, krahasuar me një vit më parë, thotë Freedom House në raportin më të fundit për demokracinë në botë 2019. Kështu, vendi ynë, së bashku me pjesën dërrmuese të vendeve të rajonit, klasifikohet mes atyre shteteve që janë pjesërisht të lira. Në analizë merren kritere si; liria, të drejtat politike dhe të drejtat civile. Shqipëria grumbullon kështu 68 pikë nga 100 në total, ku maksimumi i referohet nivelit më të lartë të lirisë.
Po të bëjmë një krahasim me vendet e tjera të rajonit, pra të Ballkanit Perëndimor, rezulton se Shqipëria është vendi më i lirë. Me 68 pikë, Shqipëria ndiqet në vend të dytë nga Serbia me 67 pikë, ndërkohë që Kosova është e parafundit me 54 pikë, 1 pikë më shumë se Bosnje Hercegovina e vendit të fundit. Serbia vitin e kaluar gëzonte një nivel demokracie më të lartë se vendi ynë. Freedom House nënvizon qartë se Alexandar Vucic në Serbi dhe Millo Djukanovic në Mal të Zi vazhdojnë të përqendrojnë ndjeshëm pushtetin drejt tyre, duke minuar nivelin e demokracisë.
Në Bashkimin Europian, shuplaka më e rëndë vjen për Hungarinë dhe Victor Orban, ndërkohë që kritika ka edhe për Poloninë, Austrinë, Çekinë apo Sllovakinë. Në nivel global vendet më të lira klasifikohen ato skandinave, me Suedinë, Norvegjinë dhe Finlandën që grumbullojnë 100 pikë ndër 100, çka do të thotë se gëzojnë nivelin më të lartë të demokracisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.