“Bëjmë detyrat e shtëpisë” – Rama monitoron implementimin e nismës në Lezhë
“Bëjmë detyrat e shtëpisë” është projekti më i ri i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Për të parë nga afër implementimin e kësaj nisme, kryeministri, Edi Rama, ishte në shkollën “Besëlidhja” në Lezhë, së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Ndërsa shpjegoi projektin, Ministrja Nikolla tha se do të monitorohet progresi i nxënësve dhe do të vlerësohen arritjet në çdo lëndë, për ta shtrirë më pas në të gjitha shkollat e Shqipërisë.
“Do të shikojmë progresin kryeministër të fëmijëve. Janë testuar para se të fillojë ky projekt dhe në fund në qershor do të shikojmë dhe progresin në arritjet në çdo lëndë që më pas pastaj ta shtrijmë në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Është një hap përpara për ta kaluar barrën e cilësisë dhe të përgatitjes dhe gjithçkaje tjetër nga familjet drejt shkollës, në fakt aty ku është edhe vendi dhe përgjegjësia.”
Projekti mundëson që pasdite nxënësit të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të bëjë mësimet brenda mjediseve të shkollës. Kjo, sipas ministres, për t’i ardhur në ndihmë nxënësve që nuk i kanë kushtet. Nisma pilotohet këtë vit shkollor në 20 shkolla 9-vjeçare të pesë prej Drejtorive Arsimore Rajonale më të mëdha të vendit: Tiranë, Elbasan, Lezhë, Fier dhe Korçë.
Nertila Doku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.