Benet Beci emërohet drejtor i KESH! Karriera, nga sistemi bankar te drejtimi 13 vjeçar i Fondit Shqiptar të Zhvillimit
Ish Drejtori Ekzekutiv prej 13 vjetësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, FSHZH, ka pranuar propozimin e kryeministrit Rama për të drejtuar një tjetër institucion strategjik, siç është Korporata Elektroenergjitike Shqiptare. “E pranova me kënaqësi këtë propozim si shenjë të besimit, por si mundësi që përvojën time prej shumë vitesh si menaxher dhe drejtues, ta zbatoj edhe në një sektor tjetër strategjik, siç është KESH”, ka thënë Beci pas emërimit drejtor i Korporatës Elektronergjetike Shqiptare.
Që prej vitit 2005 Benet Beci është drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i krijuar në vitin 1993 me fonde të donatorëve të huaj me mision zbutjen e varfërisë në zonat rurale. Beci e mori drejtimin e FSHZH në kohën kur portofoli i këtij institucioni ishte rreth 116 milionë Euro.
Gjatë 13 viteve që Beci drejtoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ky i fundit u kthye në institucionin kryesor të zhvillimit duke vendosur standarde të larta sa i përket cilësisë së projekteve që janë zbatuar. Donatorët e mëdhenj si Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka e Këshillit të Europës, etj. i kanë besuar FSHZH-së së drejtuar nga Beci projektet madhore të zhvillimit.
Rreth 20 projekte madhore dhe 2,100 nënprojekte në funksion të zhvillimit të infrastrukturës, turizmit, kulturës janë realizuar me sukses gjatë këtyre 13 viteve.
“Beci dhe FSHZH janë binomi që qëndron në dhjetëra vepra të rëndësishme të infrastrukturës urbane, turizmit dhe trashëgimisë kulturore: nga Lungomare në Vlorë deri te Muzeu Marubi në Shkodër; në 1,200 kilometra rrugë që lidhin zonat më të thella të vendit me qëndrat urbane. Tamara, Lëpusha e Vermoshi sot janë destinacione turistike të preferuara falë investimeve në infrastrukturë që FSHZH ka kryer nën drejtimin e Becit. FSHZH është zbatuesi i suksesshëm i programit të ujësjellësve rurale më 65 skema ujësjellësish nga veriu në jug në zona që të thella kur ende nuk kishte rrugë për të shkuar. Për vite investimet e segmentuara kanë qenë pengesë kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm në vend.
Integrimi i projekteve dhe harmonizimi i tyre për të maksimizuar impaktin në nivel rajonal e më gjerë është një qasje që është artikuluar me vendosmëri dhe ka qenë kryefjala e projekteve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit vitet e fundit. Sot rajoni i Alpeve Shqiptare kanë një plan të detajuar zhvillimi për 15 vitet e ardhshme që, nëse zbatohet si duhet, garanton zhvillimin e qëndrueshëm të këtij rajoni dhe kthimin e tij në një pasuri të rajonit të Ballkanit” shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Kush është Benet Beci?
Benet Beci ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1987, ato master në administrim biznesi me një temë mbi sistemin bankar në vitin 2003 dhe doktoraturën në vitin 2015 me një temë mbi zhvillimin rajonal.
Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh të tjera brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në sistemin bankar dhe atë të mikrofinancës, analizës financiare e menaxhimit të riskut, por edhe mbi partneritetet publiko-private dhe inovacionet në qeverisje.
Gjatë karrierës së tij, Benet Becit i janë besuar detyra të rëndësishme sidomos në sistemin bankar ku ka pasur disa pozicione, nga të cilat më i spikaturi ka qenë ai i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Por Beci ka një përvojë të gjerë edhe në menaxhim financiar në institucione të Financimit Rural.
Sidoqoftë pa dyshim, detyra më e rëndësishme ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion publik që implementon projekte zhvillimi në nivel lokal dhe kombëtar. Beci e ka drejtuar këtë post që prej vitit 2005 deri më sot.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.