Berat, nis turi i llogaridhënies – Klosi: Lejet e guroreve do të revokohen. Jo HEC-ve
Çdo drejtues që abuzon me detyrën duke mos iu përgjigjur qytetarëve do të largohet. Kështu është shprehur ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi nga Skrapari, ku nisi turin e llogaridhënies për qarkun e Beratit. Klosi ftoi qytetarët të denoncojnë në portalin e bashkëqeverisjes çdo rast abuzimi, korrupsioni apo neglizhence ndaj drejtuesve të çdo institucioni.
“Unë ju kërkoj këtu publikisht, edhe si anëtar i qeverisë, edhe si deputet i kësaj zone, por edhe si qytetar bashkohuni në platformën e bashkëqeverisjes, kritikoni, ngrini shqetësimin tuaj për këdo nga drejtuesit, çfarëdo niveli ai qoftë i cili mendoni se ju kanë ngrënë hakun, nuk ka zbatuar atë që duhet. Është shumë e thjeshtë, mjafton që secili nga ju të aplikojë në platformën e bashkëqeverisjes në Shqipëriaqëduam.al të identifikohet, të ngrejë shqetësimin, dhe padyshim do të marrë një përgjigje, do të marrë zgjidhje nëse halli ka zgjidhje , por nuk do të rrijë qytetari me ndjesinë që ky drejtor, ky specialist i thjeshtë nuk më respekton”, tha Klosi.
Klosi iu përgjigj dhe shqetësimit të qytetarëve për lejet e guroreve duke thënë se do të revokohen për t’i dhënë fund shkatërrimit të malit të shenjtë të Tomorrit. Ndërsa bllokimi i HEC-eve në këtë zonë ishte beteja e fituar për të mbrojtur natyrën. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se zhvillimet ekonomike nuk mund të cënojnë mjedisin dhe se biznesi duhet të zhvillohet në zona ku impakti është më i vogël.
“Përsa i përket kësaj zone, ne kemi shumë potenciale të vërteta të zhvillimit turistik. Kanionet e Osumit kemi bërë një betejë të madhe për t’i mbrojtur. Mund të ketë edhe këtu që do ta ngrejnë shqetësimin; a duhen HEC-et apo duhet bukuria natyrore. Unë mendoj dhe kam qenë publikisht pro mbrojtjes së natyrës shumë të bukur që ka kjo zonë. Padyshim diku mund të ketë edhe zhvillim por jo këtu, jo në këtë bukuri natyrore, e cila është një nga kartolinat më të bukura të Shqipërisë. Prandaj ne duhet ta mbrojmë. Prandaj unë ju kërkoj edhe publikisht edhe pse jam anëtar i qeverisë ; ta mbrojmë shumë më tepër natyrën e bukur që ka kjo zonë. Po ashtu me malin e Tomorrit. E di që ka këtu ndonjë që ka punuar edhe guroret në malin e Tomorit, dhe ne i bllokuam. Kemi bërë një vendim tani që do t’i revokojmë fare lejet”, tha ministri.
Ministri Klosi u ndal dhe në investimet që janë bërë dhe do të bëhen në këtë qark duke nënvizuar si mjaft të rëndësishme atë për ndërtimin e 4 rrugët e tij hyrëse, falë të cilave do të ketë zhvillim në të gjithë sektorët.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.