Berlusconi nuk do të garojë për president – Ish-kryeministri i Italisë heq një sfidë ndër-partiake përpara votimit
Ish- kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, vendosi të mos kandidojë për president, sipas një deklarate të tij gjatë fundjavës, duke hequr kështu një pengesë ndaj negociatave ndër-partiake, përpara se të nisë votimi në parlament më datë 24 Janar. Nominimi i kryeministrit Mario Draghi shihet si rezultati me më shumë gjasa, por është ende e paqartë nëse shumica e partive që mbështesin koalicionin e tij do ta pëlqejnë, prej shqetësimeve se largimi i tij mund të shkaktojë një zgjedhje kombëtare të parakohëshme. Berlusconi tha se kërkon që ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane të qëndrojë në krye të qeverisë, deri në fund të legjislaturës, në vitin 2023.
“Kam vendosur të marrë një tjetër hap drejt rrugës së përgjegjësisë kombëtare, duke i kërkuar atyre që e propozuan emrin tim për president të Republikës, që ta tërheqin mbrapsht”- tha Berlusconi. Koalicioni i djathtë i kishte kërkuar Berlusconit që të kandidonte për president, por garimi i tij mund të mos ishte i suksesshëm për shkak të vështirësive në marrjen e mbështetjes së gjerë, që duhet ndër mbi 1,000 parlamentarë dhe delegatë rajonalë. Berslusconi është një figurë përçarëse në Itali dhe blloku i qendrës së majtë e kishte perjashtuar mbështetjen e tij. Ai u ndalua përkohësisht nga mbajtja e një posti publik pas një dënimi për shmangie tatimore në vitin 2013 dhe është ende në gjyq për rryshfet ndaj dëshmitarëve në një rast të prostitucionit nën moshë, të lidhur me festat e famshme intime të tij.
Presidenti italian ka disa detyra ceremoniale, por është gjithashtu i përgjegjshëm për zgjidhjen e krizave politike, duke e bërë një rol të rëndësishëm në një vend ku qeveritë mbijetojnë mesatarisht vetëm 1 vit. Fituesi i votës parlamentare ka nevojë për një shumicë në 2/3-at në secilin nga 3 raundet e para të votimit. As blloku i qendrëssë djathtë dhe as ai i majtë, nuk kanë mjaftueshëm vota për të vendosur një kandidat nga kampi i vetë, ç’ka nënkupton se do të duhet një lloj kompromisi për të parandaluar ngërçin e tejzgjatur.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.