Bernard Arnault kalon Bill Gates – Ekzekutivi i Louis Vuitton bëhet personi i dytë më i pasur në botë
Bernard Arnault, ekzekutivi i konglomeratit të luksit, LVMH, ka kaluar Bill Gates duke u bërë personi i dytë më i pasur në botë, sipas Forbes.
Sipas listës së Forbes, biznesmeni francez shtoi 2.8 miliardë dollarë gjatë sesionit të fundit tregtar, , duke e rritur pasurinë e tij me 2.7% në një total prej 107.6 miliardë dollarë. Kjo performancë e vendos Arnault pas themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, që ka një pasuri prej 110.5 miliardë dollarë. Bill Gates, ka një pasuri prej 107 miliardë dollarë sipas Forbes.
Megjithatë, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg, Bernard Arnault renditet pas Bezos dhe Gates, me një pasuri prej 103 miliardë dollarë, krahasuar me 110 miliardë dollarë që zotëron themeluesi i Microsoft.
Sipas renditjeve të Bloomberg, që përditësohet pas çdo dite tregtare në New York, Arnault ka shtuar më shumë se 34 miliardë dollarë deri më tani për vitin.
Në Qershor, Arnault kaloi kufirin e 100 miliardë dollarëve duke u bërë person ii tretë më i pasur në botë. Një muaj më vonë, ai kaloi përkohësisht Gates në renditjet e Bloomberg dhe Forbes. Arnault është aksioneri kryesor i LVMH, që zotëron marka luksoze përfshirë Louis Vuitton, Christian Dior dhe Moet & Chandon.
Konglomerati konfirmoi këtë javë se do të blejë rrjetin e dyqaneve të stolive në SHBA, Tiffany, për 16.2 miliardë dollarë.
Gjurmuesi i Forbes për të pasurit përditëson renditjet bazuar tek pasuritë dhe zotërimet publike, si aksionet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.