BERZH, 50 milion dollarë kredi – Financohen 3 akse rrugore, ndikim në turizën dhe integrimin ekonomik me rajonin
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë ndërtimin e 3 akseve rrugore në Shqipëri, përmes një kredie në vlerën e 50 milion dollarëve. Marrëveshja e firmosur me Ministrinë e Financave parashikon rehabilitimi e Rrugës Ekzistuese Uji i Ftohtë – Orikum, me një gjatësi prej 10.7 km, ku pjesë e rehabilitimit të këtij segmenti do të jetë edhe ndërtimi i dy bypass-eve që do të përmirësojnë qarkullimin. Po ashtu, pjesë e financimit do të jetë aksi prej 12.4 kilometrash nga Shëngjini në fshatin Baks-Rrjoll si dhe sistemimi dhe asfaltimi i aksit me gjatë 47.1 km nga fshati Zgosht deri te Ura e Çerenceit.
Këto tre akse janë pjesë e kësaj marrëveshje huaje, por janë pjesë e një programi më të gjerë të kontektivitetit rajonal dhe lokal, i cili nuk do të sjellë vetëm një përmirësim të shtuar të akseve në aspektin e transportit por, mbi të gjitha, do të zgjerojë mundësitë e zhvillimit ekonomik në këto zona. Ky është një prioritet i qeverisë shqiptare, për të bërë zonat rajonale e zonat rurale më të aksesueshme për individët, turistët dhe mbi të gjitha për investitorët vendas dhe të huaj, të cilët në këto zona do të mundësojnë jo vetëm marrjen e shërbimeve të duhura, por njëkohësisht do të krijojnë mundësinë e një zhvillimi ekonomik dhe punësimi akoma më të gjerë”, është shprehur Denaj.
Investimi do të shoqërohet me masa, të mbështetura nga qeveria e Japonisë, për të ofruar mundësi efektive të trajnimit në punë për të rinjtë gjatë zbatimit të projekteve. Ndërkohë që, banka do të financojë me burimet e veta edhe një raport me rekomandime për përmirësimin e sigurisë rrugore. Deri më tani, BERZH ka investuar rreth 1.4 miliardë euro në 96 projekte në Shqipëri. Strategjia e Bankës në vend përqendrohet në zhvillimin e sektorit privat, në rritjen e infrastrukturës dhe promovimin e energjisë të qëndrueshme dhe investimeve të shëndosha për mjedisin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.