BERZH miraton “paketën e solidaritetit”/ 1 miliardë dollarë ndihmë emergjente për rajonin, përfshirë Shqipërinë
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar paketën e re të masave për 38 vendet e rajonit, mes të cilave edhe Shqipëria, për t`i bërë ballë impaktit të Covid-19 në ekonomi. Masat e reja prekin një vlerë prej 1 miliardë dollarësh. Sipas institucionit huadhënës ky është vetëm fillimi i një programi mbështetës për këto vende.
Paketa e masave emergjente do t`i drejtohet kryesisht klientëve ekzistues dhe veçanërisht bizneseve të vogla dhe të mesme. Masat do të përfshijnë mundësinë e ristrukturimit të kredive ekzistuese, mundësinë e shtyrjes në kohë të maturimit të tyre si dhe mundësinë e ndryshimit të kushteve të tjera apo edhe mundësinë për të disbursuar në monedhën vendase.
Paketa e ndihmave vjen pas një investimi prej rreth 10 miliardë dollarësh të bankës në rajon gjatë vitit të kaluar. Banka pret që vendet e rajonit të dëmtohen nga shpërthimi i Covid-19, tashmë në përmasat e një pandemie, sidomos në terma të prodhimit ekonomik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.