BERZH: Ndryshoni modelin ekonomik – “Qeverisja, energjia dhe konkurrueshmëria, 3 prioritetet kyçe për 2020-2025”
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka publikuar strategjinë e re për Shqipërinë për periudhën 2020-2025 ku merr në analizë gjerësisht edhe ekonominë shqiptare. “Gjatë 4 viteve të kaluara, vendi tregoi një trend rritës të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kryesisht nxitur nga konsumi si dhe një rimëkëmbje të investimeve, si rezultat i dy projekte madhor në energjetikë”-thotë raporti i BERZH. Për të përshpejtuar konvergjencën me Bashkimin Europian sa i përket nivelit të të ardhurave, vijon BERZH, Shqipëria duhet të rrisë produktivitetin, duke u shpërngulur drejt një modeli rritje larg konsumit dhe drejt investimeve dhe eksporteve, sidomos duke pasur parasysh zhvillimet më të fundit demografike si në terma emigracioni ashtu edhe në terma të urbanizimit të shpejtë të Tiranës.
Përmirësimi i klimës së biznesit është i nevojshëm për të mbështetur diversifikimin dhe thithjen e investimeve të huaja direkte, sidomos në turizëm, manifakturë dhe bujqësi, për të nxitur rritjen e qëndrueshme, thuhet më tej. Sa i përket 6 indikatorëve kyç të tranzicionit, hendeku mbetet i madh në të 6-ta, nënvizon banka. Qeverisja dhe konkurrueshmëria do të përfitonin nga lufta ndaj informalitetit të shpërndarë gjerësisht në ekonomi si dhe forcimin e insitucioneve. Kostot e ulta të punës nxisin konkurreshmërinë, por, nga ana tjetër, ekonomia pengohet nga mungesa e njerëzve të kualifikuar, pasiguria në lidhje me pronën, mungesa e njohurive, sofistikimi i biznesit, investimet e ulta në kërkim dhe zhvillim, si dhe kapacitetet e dobëta inovuese, thotë më tej BERZH.
Sektori financiar vlerësohet me një nivel të lartë euroizimi por me banka likuide dhe të mirë kapitalizuara. Sa i përket infrastrukturës, transporti rrugor vlerësohet se ka nevoja të mëdha dhe përmirësime thelbësore. BERZH është e angazhuar të adresojë të gjitha këto çështje dhe ka vendosur 3 prioritete kyçe për Shqipërinë gjatë periudhës 2020-2025: Mbështetje ndaj përmirësimit të qeverisjes në ekonomi, përmirësim të konkurrueshmërisë në sektorin privat si dhe më shumë përfshirje në financa dhe aftësi, diversifikim energjetik dhe tranzicion drejt energjisë së pastër.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.