BERZH parashikon dobësim të ekonomisë shqiptare. Rritja ekonomike tkurret, shkak Italia, negociatat, PPP dhe politika
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është institutcioni i radhës që ka zhvlerësuar performancën e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti. Në raportin e projeksioneve më të fundit për rajonin, Berzh projekton një rritje ekonomike të vendit tonë me 2.8% këtë vit, nga 3.9% që projektonte në muajin Maj të këtij viti.
Projeksionet janë shkurtuar kështu me plot 1.1 pikë përqindje, norma më e lartë mes vendeve të rajonit. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka zhvlerësuar edhe projeksionet e rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm. Tashmë flet për një normë rritje në 3.5%, nga 3.9% që projektonte në Maj të këtij viti.
Për Kosovën shifrat e rritjes ekonomike nuk janë rishikuar as për këtë vit e as për vitin e ardhshëm.
“Rritja e moderuar ekonomike krahasuar me vitet e fundit vjen kryesisht si pasojë e një kombinimi i ngadalësimit në Itali dhe vendet e tjera të Eurozonës, shtyrjen e mëtejshme të anëtarësimit në Be, rreziqet e brendshme si skemat PPP të cilave ju mungon transparenca, si dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike”-sqaron Berzh, duke radhitur kështu të gjithë faktorët që kanë çuar në një zhvlerësim të termave të rritjes ekonomike të vendit tonë, bindshëm nën nivelin potencial të ekonomisë, e akoma më larg niveleve të pretenduara dhe të kërkuara nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, për një normë rritje mbi 5%.
Zhvlerësimi i rritjes ekonomike nga Berzh vjen pasi të njëjtën gjë bënë edhe Banka Botërore, FMN dhe Instituti i Vienës për studime ekonomike Ndërkombëtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.