BERZH rrit financimin për Shqipërinë – Spacapan: “Tregu shqiptar i energjisë, potencial të madh!”
Qytetarët që jetojnë në ndërtesa private dhe komunitare në Shqipëri do të përfitojnë nga një akses me i gjerë në financim për projekte të ruajtjes energjitike falë Programit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër.
GEFF është lançuar së fundmi nga BERZH dhe ka si qëllim të zvogëlojë përdorimin e energjisë në sektorin e banesave, të ulë ndotjen e ajrit dhe të përmirësojë komoditetin e jetesës.
“Programi quhet Geff ( Green Economy Financing Facility ) dhe është një program që promovon efiçensën e energjisë në sektorin e rezidencave dhe shtëpive. Ne jemi duke bashkëpunuar me institucione financiare lokale të cilat do të shpërndajnë fonde të posaçme për familjet shqiptare me qëllim përmirësimin e efiçensës së energjisë në shtëpitë e tyre.
Ky program shtrihet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Aktualisht gjendemi në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Serbi, dhe së fundmi në Shqipëri. Programi ka prioritet familjet. Banorët do kenë mundësinë të investojnë në rinovimin e banesave të tyre nëpërmjet sektorëve tipik të teknologjisë, përshembull izolimet shtëpiake, kaldajat, sistemet ngrohëse, panelet diellore, pra të përmirësojnë performancën e pajisjeve të energjisë.
Ne program kemi gjithashtu hapësira për huamarrës do thoja, mund të jenë kompani që prodhojnë panele diellore ose merren me tregtimin, kaldaja, kondicionerë, ose më saktë me pajisjeve të certifikuara të energjisë.Ne po bashkëpunojmë me dy banka lokale. Kemi një fond prej 9 milion lekësh në total. Besojmë se këto 9 milion do të shkojnë për të paktën 5 mijë familje. Plani është të punojmë me më shumë banka, për të përfshirë sa më shumë familje, dhe besojmë se ky fond do të rritet akoma më shumë.
Për momentin nuk e dimë saktësisht sa, varet nga dhuruesit. Ne do të veprojmë njësoj me bankat e tjera që duan të na bashkohen” u shpreh drejtoresha operacionale e BERZH per Londrën, Veronica Spacapan.
“Sipas analizave që kemi bërë vetëm 9 % e familjeve të zakonshme kanë implementuar metoda të efiçensën së energjisë. Ne shohim që tregu ka një potencial të madh. Ne kemi nevojë t’i japim një dorë tregut që të zhvillohet në këtë sektor, prandaj kemi nevojë për bashkëpunimin e bankave, për të mobilizuar investimet pasi ky sektor nuk ka akoma vëmendjen e duhur.
Ne shpresojmë që dhe kompanitë e ndryshme të shohin përfitimet e këtij programi dhe të na bashkohen dhe ne të shesim më shumë produkte të efiçensën së energjisë që shtëpitë të mund t’i investojnë” shtoi z. Spacapan lidhur me investimet e bëra në tregun e energjetikës në Shqipëri.
Programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër ka përfshirë të gjithë Ballkanin Perëndimor, përjashtuar Malit të Zi, i cili pritet të bëhet pjesë e programit së shpejti.
J.V/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.