Besart Kadia emërohet zv.ministër i Ekonomisë dhe Financave. Profili i pedagogut dhe aktivistit politik
Besart Kadia është emëruar si zv.ministri i ri i Financave dhe Ekonomisë. Lajmi i konfirmuar edhe nga burimet për SCAN TV është një nga ndryshimet më të fundit në kabinetin qeveritar dhe që pritet t’i japë një shtysë të re këtij dikasteri.
Kadia është një personalitet i njohur i jetës publike si autor dhe moderator i disa programeve televizive ku në fokus ishin çështjet ekonomike. Në debatet televizive ai gjithashtu e ka bërë të qartë qëndrimin e tij kritik kundrejt disa prej reformave që qeveria socialiste ka marrë në fushën e ekonomisë gjatë këtyre 7 viteve.
Kadia është i diplomuar në Universitetin e Bristolit për Ekonomiks dhe Politikë dhe gjithashtu gëzon po nga i njëjti universitet Masterin Shkencor në Ekonomiks dhe Financë.
Prej disa vitesh tashmë ai është pjesë e Universiteti Europian të Tiranës si pedadog për lëndët e ekonomisë, ndërkohë që ushtron edhe rolin e drejtorit ekzekutiv në organizatën “Fondacioni për Liri Ekonomike”.
Sa i përket aktivitetit politik, z.Kadia ka themeluar edhe një lëvizje të quajtur “Alternativa”, që në bazë të programit të saj kishte implementimin e politikave të djathta, ku roli i shteti në ekonomi është minimal dhe që bazohet mbi lirinë e tregut dhe konkurencën e e pastër.
Së fundmi ai ka qenë pjesë e Partisë Demokratike, si anëtar i Këshillit Kombëtar si dhe pjesë e skuadrës së Koordinatorëve Kombëtarë të selisë blu.
G.K / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.