Besimi konsumator, rritje minimale – BSH: Përmirësohet treguesi i ndjesisë ekonomike në korrik-shtator
Tremujori i tretë i vitit, ka sjellë një përmirësim të Treguesit të Ndjesisë Ekonomike (TNE), pasi preku nivelin më të ulët historik gjatë periudhës së izolimit, prill-qershor. Indikatori i Bankës së Shqipërisë është rritur kështu me 23 pikë gjatë periudhës korrik-shtator, për të prekur vlerën e 75.3 pikëve, e që vijon të jetë nën mesataren. “Ecuria e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike është ndikuar kryesisht nga përmirësimi i besimit të bizneseve dhe në një masë më të vogël nga përmirësimi i besimit të konsumatorëve.
Megjithatë, si treguesi i besimit të bizneseve, ashtu edhe ai i besimit të konsumatorëve mbeten nën mesataret përkatëse historike”-nënvizon Banka e Shqipërisë. Treguesi i besimit konsumator ndërkohë u rrit me vetëm 3.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, që është edhe rritja më e vogël mes të gjithë treguesve të tjerë. Pas goditjes së marrë në tremujorin e dytë, besimi konsumator vijon të mbetet nën mesataren historike. Edhe sa i përket 4 treguesve të tjerë, atij të besimit, në industrisë, atij në ndërtim, atij në tregti dhe atij në shërbime, rritja është e ndjeshme gjatë tremujorit të tretë të vitit, thonë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.