Besimi në qeverisje – Studimi i PNUD: U rrit për 7 institucione, bie te Policia e Shtetit
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim kanë prezantuar gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje” për vitin 2017, sipas të cilit besimi i publikut është rritur për 7 institucione dhe është ulur për 4 të tjerë, në raport me vitin 2016. Rënie në besim ka shënuar Policia e Shtetit, Media, Presidenti dhe Partitë Politike.
Ndërkohë që, rritja është shënuar për qeverinë, institucionet e shëndetit publik, institucionet e arsimit, parlamentin, Forcat e Armatosura, shoqërinë civile dhe institucionet fetare. Po ashtu, gjatë 2017-ës, gjykatat janë perceptuar si më të prekshme ndaj ndikimit politik nga 72% e të anketuarve , ndjekur nga prokuroria me 69% dhe policia e shtetit me 49%.
Të dhënat e sondazhit treguan gjithashtu se 8 në 10 të anketuar e konsiderojnë korrupsionin e nivelit të ulët dhe të lartë si të përhapur ose shumë të përhapur, pavarësisht se ka një mospërputhje midis perceptimeve mbi përhapjen e korrupsionit dhe përvojave personale të përballjes me fenomenin. Ndërkaq, të pranishme gjatë prezantimit të të dhënave zv.kryeministrja Senida Mesi dhe nënkryetarja e parlamentit Vasilika Hysi bënë me dije hapat që do të ndërmerren nga institucionet për të rritur vlerësimin e qytetarëve në qeverisje.
Përfaqësuesi i përhershëm i PNUD përshëndeti rritjen e ngadaltë, ndërsa inkurajoi qeverinë të punojë për të rritur besimin e qytetarëve. Mbledhja të dhënave të sondazhit u bë gjatë periudhës 17-30 nëntor 2017 dhe përfshiu një total prej 1648 qytetarësh në 61 bashkitë e vendit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.