Beteja BE-SHBA për sektorin e avionëve, Reuters: OBT autorizon tarifat e BE ndaj 4 mld USD mallra amerikanë
Organizata Botërore e Tregtisë ka autorizuar Bashkimin Europian që të vendosë tarifa ndaj mallrave amerikane me vlerë 4 miliardë dollarë, në kundërpërgjigje ndaj subvencioneve qeveritare tek Boeing. Ky autorizim i vonuar, shton mundësitë e përplasjeve të reja tregtare, përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. uashingtoni vendosi vitin e kaluar tarifa ndaj 7.5 miliardë dollarë mallra europianë, prej mbështetjes shtetërore të Airbus në Europë.
Të dy palët janë përfshirë në këtë konflikt 16-vjeçar në Organizatën Botërore të Tregtisë, mbi ndihmat në industritë e avionëve. Burimet për Reuters bënë të ditur se janë informuar për vendimin e Organizatës javën e kaluar dhe se autorizimi pritet të bëhet publik në javët e ardhshme. Burimet nga të dy palët thanë se tarifat europiane ndaj produkteve si avionët Boeing, nuk ka gjasa të vendosen përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, ndërkohë që Brukseli po përpiqet të shmangë ndërhyrjen në fushatë. Burimet europiane bënë të ditur se autorizimi i fundit i Organizatës nuk përfshin 4.2 miliardë dollarë tarifa kundër Shteteve të Bashkuara nga paditë e mëparshme, duke i dhënë një kapacitet total Bashkimit Europian prej 8.2 miliardë dollarë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.