“Beteja” e euroizimit – Po fitohet së paku te individët
Megjithëse euro ende dominon bilancet e sektorit bankar, në vitet e fundit është arritur një fitore e pjesshme në luftë kundër euroizimit të sistemit financiar. Kredia në lekë dominon së paku në segmentin e individëve.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia në monedhën vendase për individët në fund të muajit korrik kishte vlerën e 115 miliardë lekëve. Huadhënia në lekë përbën mbi 63% të kredisë për individë dhënë nga sistemi bankar.
Edhe tendenca në kohë është e kundërt; ndërsa kredia në lekë është rritur me 6.5% që nga fillimi i vitit, kredia në valutë ka rënë me 3.5%.
Megjithëse rënia e portofolit në valutë është ndikuar edhe zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit me lekun, duket qartë në vitet e fundit se tendenca e kreditimit të individëve është në favor të lekut.
Kjo kthesë lidhet me disa faktorë. Faktor mjaft thelbësor ka qenë rënia e ndjeshme e normave të interesit. Deri në vitet e para të krizës, një faktor shumë përcaktues që i shtynte individët të merrnin kredi në euro ishte norma e interesit.
Interesat në euro ishin shumë më të ulëta, veçanërisht prej politikave të ndjekura nga disa grupe të huaja bankare, që i financonin filialet shqiptare me norma shumë të ulëta. Në vitet e fundit, për shkak të politikës monetare lehtësuese, diferenca mes normave të interesit në lekë dhe në euro është ngushtuar ndjeshëm.
Kjo ka bërë që individët të kenë më pak stimuj për të marrë përsipër rrezikun e kursit të këmbimit. Prej vitesh edhe bankat vetë po promovojnë huamarrjen në monedhën në të cilën kredimarrësi ka të ardhurat, sepse në rast të kundërt atyre iu kërkohet një mbulim më i lartë me kapital për këto kredi.
Ndërkohë, portofoli i kredisë së biznesit vazhdon të dominohet nga euro, por në shumë raste kjo shpjegohet edhe me llojin e aktivitetit dhe me faktin që shumë sipërmarrje të ardhurat i gjenerojnë në euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.