Bezos “kërcënon” Gates – Fiton $3.3 mld në një ditë, “vetëm” $5 mld larg tij
Pasuria e Jeff Bezos u rrit me plot 3.3 miliardë dollarë në vetëm një ditë. Të Enjten, pas raportimit të të dhënave të tremujorit të Amazon, pasuria e Bezos kapërceu shifrën e 80 miliardë dollarëve, për të parën herë në histori.
Tashmë, Bezos është vetëm 5 miliardë dollarë nga të qenit njeriu më i pasur në Botë. 53 vjeçari ka rritur pasurinë e tij me 64.2 miliardë dollarë që prej vitit 2012.
Aksionet e Amazon u rritën me 50 dollarë pas të dhënave që tregonin një performancë mbi pritshmëritë gjatë tremujorit, duke thelluar edhe më tej rekordin e pathyer deri tani të 20 viteve me radhë fitime dyshifrore.
Bezos ia kaloi madje edhe themeluesit të Google, Larry Page, i cili gjatë të Enjtes pa pasurinë e tij të rritej me 1.4 miliardë dollarë, si pasojë e të dhënave të tremujorit të “Alphabet”.
Pasuria e Page fiksohet në 44.7 miliardë dollarë. Në vend të parë të listët së miliarderëve vazhdon të qëndrojë Bill Gates, por ritmet e pasurimit të Bezos, kërcënojnë seriozisht vendin e tij në listë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.