Bezos “parakalon” Gates – Rezulton i pari në listën e Forbes 2018, me 112 mld dollarë
Jeff Bezos është kthyer zyrtarisht në personin më të pasur në botë, duke lënë pas themeluesin e Microsoft, Bill Gates. Kreu ekzekutiv i Amazon, mori vendin e parë në listën vjetore të miliarderëve të Forbes për të parën herë.
Pasuria e Bezos u rrit në 112 miliardë dollarë, me rritjen më të madhe vjetore në histori, duke hequr nga froni Gates, që kishte një pasuri prej 90 miliardë dollarë në listën e vitit 2018 të Forbes.
Gates ka qenë personi më i pasur në botë në 18 nga 24 vitet e fundit. Warren Buffet mori vendin e tretë në listë, me një pasuri neto prej 84 miliardë dollarësh. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zotëronte 3.1 miliardë dollarë, i renditur në vend të 766, në rënie nga vendi i 544-t në 2017-ën.
Pasuria e Trump ka rënë me 400 milionë dollarë krahasuar me listën e vitit të kaluar, për shkak të rënies së vlerës së pasurive të paluajtshme në Manhattan dhe rënies së të ardhurave në disa prej resortëve të golfit.
Më shumë se 2,200 miliarderë ishin prezentë në listën e Forbes dhe pasuria e tyre e kombinuar arrin në 9.1 trilionë dollarë, shifër ekuivalente me gjysmën e Produktit të Brendshëm Bruto të Shteteve të Bashkuara, që është ende ekonomia më e madhe në botë.
Këtë vit, janë shtuar 259 persona të rinj dhe numri i grave u rrit në 256 në total, nga 227 në vitin e kaluar.
Vajza e themeluesit të Walmart, Alice Walton, është gruaja më e pasur në listë, me një pasuri prej 46 miliardë dollarë.
Shtetet e Bashkuara mbajnë numrin më të madh të miliarderëve, në 585, ndjekur nga Kina me 476, Gjermania me 123, India me 119 dhe Rusia me 102. Vetëm Kalifornia, ku kanë bazën kompanitë e teknologjisë, kishte 144 miliarderë.
Në listën përfundimtare, në vend të katërt ndjek Bernard Arnault i Louis Vuitton me 72 miliardë dollarë, Mark Zuckerberg me 71 miliardë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.