Bie besimi në ekonomi – Tensioni para zgjedhjeve step biznesin
Zgjedhjet dhe atmosfera e tensionuar parazgjedhore duket se kanë goditur treguesit e besimit të biznesit dhe konsumatorëve në ekonomi. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike për tremujorin e dytë ka rënë me 9.7 pikë krahasuar me tremujorin e parë.
Ky rezultat erdhi nga rënia e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar.
Megjithatë, niveli aktual vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë dhe më lart nivelit të shënuar në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve rezultoi me rënie prej 18 pikë përqindje në tremujorin e dytë të këtij viti, për shkak të rënies së thellë në balancën e kërkesës dhe në atë të ecurisë së biznesit.
Ndërkohë, edhe treguesit që nuk përfshihen në ndërtimin e treguesit agregat, si gjendja financiare e bizneseve dhe gjendja e punësimit rezultuan më të ulëta në tremujorin në analizë.
Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 3.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Rënia pasqyroi një perceptim të përkeqësuar për ecurinë e biznesit dhe pritjeve për ecurinë e punësimit.
Sektorë që shfaqën një besim të përmirësuar mes bizneseve ishin industria dhe ndërtimi. Në industri, treguesi i besimit u rrit me 4.5 pikë përqindjeje, kryesisht falë një ecurie më të mirë kontratave porositëse. Në sektorin e ndërtimit, treguesi i besimit u rrit më lehtë, me 1.7 pikë përqindjeje. Edhe në këtë sektor, përmirësimi erdhi nga shtimi i kontratave porositëse dhe nga zgjerimi i aktivitetit ndërtues.
Edhe treguesi i besimit konsumator u rrit për tremujorin e dytë, me 1.2 pikë përqindjeje. Rritja u mbështet nga një pritshmëri përgjithësisht pozitive e individëve lidhur me gjendjen financiare dhe me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.